Nga Claire Schneider/

Falë disa metodave të thjeshta dhe të dobishme, është e mundur ta njohim më mirë veten dhe sidomos të bëjmë përparime ne funksion të objektivave që i vëmë vetes. Gary Ëood, autor i “Ndryshoni stilin e jetës!” na ndihmon ta marrim jetën tonë në dorë.

“E keni kohën të kufizuar, mos e harxhoni duke bërë një jetë që s’është juaja”. Këto fjalë të Steve Jobs duhet t’i ketë parasysh secili prej nesh dhe duhet të na nxisin t’i bëjmë pyetje vetes për gjërat më të rëndësishme:

A jemi të lumtur?

A jetojmë në përputhje me vlerat tona?

A jemi ne kapitenët e anijes sonë?

Falë disa metodave të thjeshta e të dobishme, është e mundur të dimë pakëz më shumë për veten tone dhe sidomos të bëjmë përparime në funksion të objektivave që i vëmë vetes. Gary Wood, autor i “Ndryshoni stilin e jetës!” na ndihmon ta marrim jetën tone në dorë.

Pranoni nevojën për të ndryshuar diçka

Konstatimi: Për të bërë përpara, duhet pikesëpari të kuptosh që diçka duhet ndryshuar. Nganjëherë, na janë fiksuar në mendje aq shumë automatizma saqë filtrat e perceptimit na pengojnë t’i shohim me një tjetër sy gjërat. Ne mbajmë mend atë që na intereson dhe i lëmë mënjanë gjërat e tjera. Ndryshimi i gjerave bëhet pra i koklavitur kur nuk i ke të gjitha kartat në dorë. Nga çasti kur e kuptojmë ku çalon problem dhe bëhemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që duhet të kapërcejmë, është e mundur të gjinden zgjidhjet.

Gabimi që duhet shmangur: Ti mbushësh mendjen vetes që s’ia vlen të lodhesh, gjithçka është e shkruar! Shpesh, kur i varim shpresat shumë tek një gjë, ajo ndodh vërtet. Kjo quhet efekti Pygmalion. Për shembull, studenti që e ka mendjen top se do ta humbasë konkursin, e humb vërtet prej negativitetit që e ka kapluar.

Kalimi në veprim:

Problemi i vërtetë është pra të përcaktojmë atë gjë së cilës duhet t’i japim realisht rendësi. Për këtë, duhet t’i hapim vetes horizonte të reja dhe të stimulojmë imagjinatën. Ja dy ushtrime të vogla:

-Imagjinoni që të gjitha shpresat tuaja janë bërë realitet dhe përpiquni që të vizualizoni ndryshimet që kanë ndodhur për shkak të kësaj. Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj? A është e mundur t’i nisim këto ndryshime që tani?

-Të hapemi drejt kulturave të tjera për të eksploruar vlera të reja dhe hapur dyert e perceptimit!

Si t’i vëmë vetes objektiva?

Konstatimi: me të përcaktuar se çfare është vërtet e rëndësishme për ne, është koha për t’i vënë vetes objektiva  në përputhje me vlerat tona  dhe të adaptuar sjelljen e duhur për t’ia arritur qëllimit.

Gabimi që duhet shmangur: T’i vësh vetes objektiva të paarritshme ose tepër të paqarta, të tipit “të jem më e/i lumtur” ose “të jesh më në formë”.

Kalimi në veprim: Është thelbësore që t’i vësh vetes objektiva pozitive (të hash ushqime të ndryshme është më pozitive sesa të hash më pak të ëmbla), të sakta (të hash 5 fruta dhe zarzavate në ditë sesa të jesh në formë), të matshme (të bësh sport dy here në javë), realiste dhe njëherësh të vendosura.

Si t’i arrish qëllimet?

Konstatimi: Pasi ke përcaktuar objektivat, ato duhen përmbushur!

Gabimi që duhet shmangur: Të fokusohesh te dobësitë e tua: nuk mund të jemi të zot për gjithçka dhe ia vlen të shfrytëzojmë pikat tona të forta.

Kalimi në veprim: Për t’ia arritur qëllimit, është e dobishme të përdorim pikat tona të forta. Pra, duhet t’i bëjmë pyetje vetes se ku qëndron forca jonë dhe si ta shfrytëzojmë akoma më shumë? Pasi kemi identifikuar mënyrat për t’i nxjerrë në pah, zgjedhim një dhe veprojmë! Besimi te vetja është gjithashtu një faktor kryesor për të arritur përmbushjen e objektivave tona. Ideale është të kapim në ç’rrethana arrijmë më me lehtësi të jemi të sigurt në vetvete dhe më pas ta riprodhojmë këtë sjellje apo edhe të imitojmë dikë që ka besim tek vetja. Nuk duhet të hezitojmë të përdorim imagjinatën. Mund të përfytyrojmë për shembull sikur jemi duke realizuar një detyrë, ose një ndërhyrje në publik. Do të jetë më e thjeshtë më pas për të vepruar duke patur një shembull konkret të asaj çka duam të arrijmë. Çtendosja është një element kryesor për të patur besim tek vetja. Ashtu si tek pjesa muzikore, pauzat janë po aq të rëndësishme sa pjesa tjetër e notave për një harmoni perfekt. Duhet pra të dimë edhe t’i japim vetes momente pushimi, për të kuptuar ku jemi dhe për të shkuar përpara.

Rëndësia e gjuhës

Konstatimi: Gjuha është shumë e rëndësishme. Ne nuk jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm, por mënyra se si shprehemi ka shumë peshë në veprimet tona dhe në mënyrën se si e kuptojmë jetën. Mjafton të ndryshojmë disa automatizma të vogla për t’u bërë optimist dhe për t’i çbllokuar ca dryna të trurit që na pengojnë për të ecur përpara.

Gabimi që duhet shmangur: Kur flasim me vete, kemi shpesh prirjen të nxjerrim në pah anën negative. Të bësh të kundërtën në këtë proces të ndihmon t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim tjetër dhe për pasojë t’i lëvizësh. Për shembull, në vend që të themi “unë nuk frikë” për t’i dhënë siguri vetes, ia vlen më mirë ta zëvendësosh me “Kam siguri”, që ka një konotacion më pozitiv dhe që e përjashton nocionin e frikës.

Kalimi në veprim: Në vend që të thoni “Nuk di t’i ndreq punët e mia”, lini gjithmonë një derë të hapur duke shtuar shprehjen “deri tani”. “Nuk dija t’i ndreqja punët e mia deri tani” e përjashton idenë se nuk do të dish kurrë t’i ndreqësh. Ka tashmë një mundësi ndryshimi. Dhe vetëm fakti që e di se mund t’ia dalësh mbanë për të bërë diçka, kjo ndryshon gjithçka!

Të mësosh të menaxhosh problemet e tua

Konstatimi: Shpesh jemi ne vetë të parët që sabotojmë projektet tona. Nën pretekstin se na ka dale një vështirësi, ulim krahët ose gjejmë justifikime për të mos ndryshuar.

Gabimi që duhet shmangur: Menaxhoni problemet tuaja në funksion të emocioneve tuaja. Thënë ndryshe, kur ju mbyt një emocion i pakëndshëm (duhet të sistemoni dokumentat nëpër dosje, por sinqerisht, nuk ua keni ngenë), maskojeni me një emocion të këndshëm (shtyjeni për më vonë dhe në vend të kësaj pune të bezdisshme shkoni bëni një dush të ngrohtë). Sigurisht, aty për aty, ky është lehtësim. Por që nuk ndihmon hiç në zgjidhjen e problemeve tuaja.

Kalimi në veprim: Duhet të mësojmë t’i menaxhojmë problemet tona! Kur na del përpara një vështirësi, i përqendrojmë përpjekjet tek problem ose tek zgjidhja e tij. Për shembull, nëse na duhet të sistemojmë nëpër dosje një pirg me dokumenta administrative, përpilojmë një plan 10-minutësh për ta përmbushur ditë për ditë.

Jepuni të tjerëve

Konstatimi: Të gjithë kërkojmë të jemi më të lumtur. Metodat e zhvilluara këtu janë mënyra të mira për të arritur lumturinë duke mësuar të jetojmë sipas vlerave tona. Por, nga moment kur jemi në harmoni me veten tone, mbetet një faktor tjetër i rëndësishëm: të tjerët. Të interesohesh për të tjerët ndihmon t’i japësh kuptim jetës tënde. Ajo çka bëjmë për të tjerët na sjell gjithmonë diçka.

Gabimi që duhet shmangur: Të mendosh që mund të jemi të lumtur veç me veten dhe që nuk kemi nevojë për të tjerët për t’ia arritur kësaj. Por ne jemi “programuar” për ndërveprime sociale, dhe identiteti ynë është fryt i ndërveprimeve tona me të tjerët.

Kalimi në veprim: Për një javë rresht, bëjmë çdo ditë diçka për të tjerët, dhe përse jo veçanërisht më shumë për një të panjohur. Të ndihmosh dikë të zbresë nga autobusi, t’u shkruash njerëzve të shtruar në spital… Në fund të javës, do të ndjejmë pa dyshim një ndryshim, jo vetëm brenda vetes, por edhe te të tjerët. Proverbi “ç’të mbjellësh do korrësh” merr këtu kuptimin e tij të plotë.

/Veritas.com.al/