3 rrjetet sociale, në pronësi të Mark Zuckerberg, Facebook, WhatsApp dhe Instagram pësuan një ndërprerje totale të shërbimit në të gjithë botën për më shumë se 6 orë.  Kompania ka bërë me dije se shkak ishte një ndryshim i gabuar i konfigurimit, e ndërsa shtuan se ky ishte “dështimi” më i madh që kishin parë ndonjëherë me 10.6 milion raporte problemesh në të gjithë botën.

Facebook tha se ndryshimi i gabuar i konfigurimit ndikoi në mjetet dhe sistemet e brendshme të kompanisë, të cilat e bënë shumë të vështirë zgjidhjen e problemit. Ajo që është ngritur në pikëpyetje, nisur edhe nga akuzat e shumta që kanë ardhur në drejtim të kompanive të Mark Zuckerberg, është se “se sigurta janë tashmë të dhënat tona, për të gjithë përdoruesit e këtyre mediave sociale”. Në përgjigje të kësaj, kompania theksoi se “nuk ka asnjë provë që të dhënat e përdoruesve ishin komprometuar si rezultat i kësaj ndërprerjeje”.

Themeluesi i Facebook u ka kërkuar falje të gjithëve.

” Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger po kthehen në normalitet. Na falni për ndërprerjen sot – e di se sa mbështeteni në shërbimet tona për të qëndruar të lidhur me njerëzit për të cilët kujdeseni”, tha ai.