Përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, gjatë seancës gjyqësore për shkarkimin e tij ose jo nga detyra e kreut të shtetit, kanë kërkuar 48 orë kohë, për t’u përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të trupës gjykuese nga radhët e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë kërkesë, trupa gjykuese, e ka miratuar, duke e shtyrë seancën për ditën e hënë.

Përgjatë sesionit të dytë, katër anëtarë nga shtatë, i kanë paraqitur përfaqësuesve të Presidencës, Bledar Dervishaj dhe Katerina Treska, disa pyetje me interes për procesin.

Dervishaj, ka qenë ai, i cili pyetjet i ka kërkuara të zbardhura. Po ashtu, koha e përgjigjes është kërkuar të jetë 48 orë.

Nga ana tjetër, ka qenë deputetja socialiste Klotilda Bushka, përfaqësuese e Kuvendit në këtë proces, e cila ka thënë se palës së saj, i janë dashur vetëm dy orë kohë për t’u përgjigjur. Ndaj, nuk është e nevojshme që Presidenca të ketë kaq shumë afat.

Mirëpo, sipas Dervishajt, arsyeja pse është mbledhur seanca, është për shkarkimin e presidentit, jo të Kuvendit. Ndaj, duhet më shumë kohë për ta.

Çfarë u diskutua gjatë seancës?

Me 140 faqe dosje voluminoze.

Kështu është paraqitur pala mbrojtëse e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në seancën gjyqësore për shkarkimin e tij pranë Gjykatës Kushtetuese.

Sipas përfaqësuesit të tij ligjor, Bledar Dervishaj, pas marrjes së pyetjeve nga ana e Gjykatës, Presidenca ka përgatitur të gjitha përgjigjet e nevojshme mbi çështjen.

Kërkesat e Metës, mbeten po të njëjtat me ato në seancën e parë ndaj tij, e cila u mbajt më 1 maj.

Sipas mbrojtjes, asnjë akt i vetëm i Metës, nuk është arritur të zbulohet, ku presidenti mund të implikohet me shkelje kushtetuese.

Po ashtu, sipas Dervishajt, është shkelur edhe parimi i shtetit të së drejtës dhe i paanësisë.

(Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor i Presidencës)

“Nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për Komisionet Hetimore, ato kanë detyrë ta ndërpresin atë, në çastin kur janë në periudhë zgjedhore”, ka argumentuar Dervishaj.

Po ashtu, ai akuzoi Kuvendin se ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën se si presidenti e ka ushtruar funksionin e tij. Për këtë arsye, sipas tij, Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve.

Të gjitha këto detaje pra, për mbrojtjen e Metës, reflektojnë se e gjithë çështja është bërë për qëllim hakmarrjeje.

“Kuvendi kërkon të hakmerret ndaj presidentit”, nënvizoi Dervishaj.

Më tej, përfaqësuesit e Metës, kanë vijuar shtjellimin e çështjes, duke formuluar akuza mbi qeverisjen e katër viteve të shkuara.

(Presidenti i Republikës, Ilir Meta).

Fillimisht, u citua raporti i OSBE-së për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Në optikën presidenciale, në to, OSBE-ja pari pikasur probleme me vjedhjen e votave dhe blerjen e tyre.

Më pas, Dervishaj përmendi edhe tërheqjen e opozitës nga Parlamenti, duke djegur mandatet. Kështu, sipas tyre, grupet parlamentare nuk e përfaqësonin më opozitën.

“Vetë shkarkimi i presidentit, erdhi nga këto grupe parlamentare, të cilat nuk e përfaqësojnë opozitën”, theksoi Dervishaj. “Për këtë arsye, është vendim i pavlefshëm”.