Nga: Sabah Jemishta/

Dikush nga rezultati i keq i PD-së në zgjedhje, dikush nga pamundësia për të duruar Edvinin, dikush nga dashuria për Edvinin, dikush nga që nuk është më pronar i ndonjë llokme të pushtetit të sotëm dhe të ardhshëm të PD-së, dikush, ngaqë është askush, i janë turrur Kryetarit të PD-së, Z.Basha, sikur vetëm ai është fajtori i situatës së mërdhitur në të cilën gjendet sot PD dhe opozita shqiptare në tërësi.

Sipas meje:

Kjo situatë nuk ka ardhur për shkak të Bashës, ose, të paktën, vetëm për shkak të tij. Ajo është rrjedhë logjike e funksionimit në pushtet të PD-së dhe jo e veprimtarisë së saj në Opozitë.

Në fillim, dua të shpreh mendimin tim, për PD-në, si shpresë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për tu ndarë nga komunizmi dhe jo për tu zënë vendin komunistëve në pushtet, e për të ndërtuar një shtet demokratik, si në vendet e Perëndimit, shtet për të gjithë qytetarët dhe në sherbim të tyre.

Nisur nga kjo, nuk më intereson, nëse quhet PD e Hajdarit, Berishës, Selamit, Shehut apo e Bashës. Këta janë kryetarët që ajo ka patur në historinë e saj. PD ka qenë dhe vazhdon të jetë, shumë më tepër se Kryetari i radhës.

Po pse erdhi PD deri këtu ku është sot?

Duhet ta marrim të mirëqenë, se elektorati dhe anëtarësia e PD-së nuk kanë qenë dhe nuk janë si ato të PS-së. Në radhë të parë janë më mendjehapur dhe më idealistë, që nuk shohim vetëm interesat e tyre , por kanë patur ndjenjën e sakrificës për interesat e vendit, pra janë më patriotë.

Po lidershipi i tyre?

Ai ka dy pamje, për të mos thënë, dy fytyra, një në opozitë dhe një tjetër në pushtet.

Kjo erdhi duke u rënduar me kalimin e viteve. PD e sotme, ka shumë më tepër njerëz të shkolluar dhe të ditur se në ‘90-tën, por paradoksalisht, trupa përfaqësuese e saj, është shumë më mediokre , më pragmatiste, më pak përfaqësuese se e bazës së saj, duke filluar nga këshilltarët bashkiakë e deri tek anëtarët e parlamentit, me njerëz gjithnjë e më anonimë, jo vetëm në formim, por dhe në prejardhje.Dhe kjo masakër në përfaqësim, është përgjegjësi totale e lidershipit. PD ka me qindra, mos me mijëra, ish funksionarë të pushtetit të saj, të cilët nuk njihen për veprimtarinë e tyre politike në shërbim të qytetarëve, por si aksioner të hapur apo të fshehtë të kompanive të oligarkëve të vendit. Në momentin që dikush kujtohet tu heqë rolin politik, ata ose zhduken dhe nuk duan të ja dinë më për PD-në, ose turren, si në këtë rastin e zgjedhjeve të fundit, duke mos pushuar asnjë moment për ta varrosur për së gjalli PD-në.

Se si kemi ardhur deri këtu, dua ta ilustroj me një ndodhi të thjeshtë, të vitit 2010. Më thërret Ministri dhe më thotë, nesër do të shkosh në Korçë për të bërë ndryshimin e një Drejtori në ‘X’ institucion vartësie. Më dha shkresën dhe nr. e telefonit të zëvendësueses.I them, pse duhet të shkoj, unë, pasi ky institucion ka lidhje me tjetër sektor në Ministri, jo në sektorin tim?

-Shko, se ata janë të zënë.

U nisa, nuk njihja as atë që shkarkohej, as atë që ngarkohej. Ishte një institucion i vogël, me 7-8 veta, por shumë profesional në natyrën e tij dhe shumë i rëndësishëm në shkallë kombëtare.

Kur arrita, telefonova të ngarkuarën dhe takova personelin dhe të shkarkuarin.Personeli, të gjithë specialistë të klasit të parë, të heshtur, por në çdo shprehje të tyre, dukeshin të pakënaqur.

Bisedova me ish-drejtorin dhe drejtoreshën e re , veçmas. Kjo e fundit ishte specialiste e po këtij institucioni. Ishdrejtori, një burrë zotni, me diplomë Vjene, tre breza të diplomuar në Vjenë, me dhjetëra specializime në të gjithë botën, qytetar tipik Korçe, Drejtor që pas ‘90, pavarësisht nga ndërrimi i pushteteve. Kishte mbrojtur me armë në ‘97 pasurinë shumë të rëndësishme për shqiptarët, të atij institucioni, anëtar i Kryesisë së PD-së së Korçës disa herë dhe në atë moment, intelektual dhe atdhetar klas, që gjithë jetën ia kishte kushtuar profesionit të tij mjaft të rrallë. Ai më thotë, se i vinte keq, për arsyen që e largonin, pasi nuk kishte të bënte me punën. Mua më heqin, tha ai, se në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, kur po bënim analizën e rezultatit shumë të keq që pati PD në Korçë, në 2009-tën thashë mes të tjerash, se fajin e ka Ridvani, dhe atë e votojnë në Korçë, më pak se mua.

U ktheva në Tiranë dhe bisedova me ministrin. ‘Po’ më tha, ‘kam 6 muaj që e shty, por Ridvani është Kryetari i Grupit të Punës i PD-së për Korçën, dhe nuk e shtyva dot më’.

E kupton ku po shkojmë Z. Ministër, i them.

Po, më tha, por s’kemi ç’të bëjmë.

E tregova këtë, për të thënë se në 12 qarqe, PD kishte 12 Kryetarë të Grupit të Punës, 8 vjet rresht, që në fakt, me mënyrën si ushtruan pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe në dëm të interesave të demokratëve, sa bënë të largohen nga aktiviteti i tyre politik mijëra demokrat në të gjithë vendin, që në të vërtetë, ata janë PD-ja, dhe mbushën administratën dhe forumet, me puthadorë, mediokër, farefisin e tyre , të grave të tyre dhe dashnoreve.

Të gjithë ata, dolën në fushatën e zgjedhjeve, dhe bënë gjithçka, vetëm që PD  të dështonte, sepse po nuk qenë ata, s’ka më PD. Edhe pas zgjedhjeve, nuk po lënë radhë, që demokratët t’i thonë Kryetarit të tyre, ku gaboi dhe si duhet të bëhet me partinë e tyre.

Zoti Basha!

Në të dy zgjedhjet, Vendore dhe të Përgjithshme, sipas meje, ke gabuar në përzgjedhjen e kandidaturave. Arsyen e di ti, por të vësh si përfaqësues, individë që , të paktën 70% e njerëzve që votojnë PD-në, edhe 100 vjet, nuk do të ju kishte shkuar në mend, se ata mund të ishin këshilltarë, kryetarë bashkish apo deputetë të tyre, kjo është një gjë e patolerueshme.

Më lejoni të ju këshilloj:

Rezultati tregoi se nuk jeni i besueshëm, prandaj:

– Dil dhe tako demokratët, të gjithë demokratët, që nga ata të ‘90-tës e deri te më të rinjtë.

-Bisedo me ta dhe kërkoju ndjesë për përjashtimin ‘de fakto’ që u është bërë nga vendimarrja.

-Siguroi ata se nuk do të krijosh klane të tilla më dhe do të zbatosh realisht meritokracinë.

-Rindërtoje PD-në mbi vlera dhe besim të vërtetë dhe kthejua atë demokratëve,s i një parti të djathtë evropiane siç e krijuan dhe e duan ata dhe rezultati do të vijë.

Veritas.com.al/