Nga: L. Skiro/

Zhurmës së madhe mbi ‘mbulimin’ e përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, në sheshin kryesor në Tiranë, ditën e festës së Bajramit, ngjarjet po i përgjigjen me pamje të ndryshme. Disa në Tiranë thonë se ‘monumenti i Gjergj Kastriotit- Skenderbeu duhet hequr fare”. Disa e quajnë ‘tradhtar’ ose ‘mercenar’, disa e quajnë me ‘nënë serbe’, disa e mallkojnë.

Por në Prishtinë, duket si një përgjigje e menduar kombëtarisht mirë, shugurohet Katedralja “Shen Tereza’.

Në ceremoninë e organizuar madhërishëm, morën pjesë të gjithë burrat e shtetit në Kosovë.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në meshën e shugurimit të katedrales ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, ka thënë se katedralja është “shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpia e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Thaçi tha se tradita jonë kurrë nuk ka bërë ndarje në mes kishës, xhamisë, manastirit, apo teqesë.

“Uroj që kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të t’u përkujtojë të gjithëve se kush ishte Shën Tereza”, tha Thaçi.Duke folur për figurën e Nënë Terezës, Thaçi tha se ajo pati zemrën e madhe për gjithë botën.

“Uroj që kjo shtëpi të jetë fanar i dritës dhe tempull i paqes për të gjithë”, tha Thaçi.  Kreu i shtetit tha se kjo katedrale u ngrit me djersën e popullit, diasporës, myslimanëve e katolikëve .Tha se duhet të ndihemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza.

“Nuk ka pëlhurë të bardhë apo të zezë që mbulon identitetin e Skënderbeut”, tha Thaçi.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj i cili ishte sot prezent në shugurimin e Katedrales “Nëna Terezë”, nëpërmjet një postimi në profilin e tij Facebook,  ka thënë se kjo është një ditë e shënuar dhe një simbolikë e bashkimit pa dallim.

Postimi i Haradinajt:

“Në ceremoninë e shugurimit të Katedrales “Nëna Terezë”.  Një ditë e shënuar dhe një simbolikë e bashkimit pa dallim, e dashurisë dhe e promovimit të vlerave të mirëkuptimit e tolerancës.  RH”

Veritas.com.al/