Kreu i LSI Ilir Meta, dje rrëzoi qeverinë Rama dhe deklaroi opsionin e tij për mënyrën se si do të qeveriset vendi deri në zgjedhjet e ardhshme. Ai nuk la zgjidhje të mesme, edhe nëse Reforma në Drejtësi kalon në 21 korrik. “Në këtë klimë mosbesimi, të miratojmë reformën dhe më pas të ngremë një qeveri me ekspertë (teknike) e cila do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve”, u shpreh ai, por duke lënë të kuptohet hapur se mazhoranca aktuale qeverisëse ka jetë edhe 3 ditë, si do që të shkojë fati i votimit.

Por duket se nuk mendon kështu Edi Rama me të tijët. “Syri.net”, prej kohësh në mënyrë sistematike, ka paralajmëruar “Planin C” të Ramës për futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, me një qeveri të drejtuar nga Rama.

Kryeministri duket se nuk e ka pritur kaq shpejt këtë lëvizje të Metës, prandaj është detyruar ta përshpejtojë atë që ka pasur në mendje prej kohësh. Mësohet se ai e ka gdhirë mbrëmë në Durrës së bashku me një numër të madh ministrash dhe deputetësh të afërt, duke kalkuluar numrat në parlament dhe duke ndarë detyrat për përpunimin “kokë më kokë”, të gjithë ligjvënëse që shihen si potencial për tjua bashkuar në këto ditë të vështira. Gjithashtu mësohet se është dhënë visto që të përdoren të gjitha mënyrat për këtë sezon urgjent “peshkimi”. I duhen 71 vota të sigurta, për të rikonfirmuar veten si kryeministër, pas një mocioni që do ta bëjë vetë ai.

Nga ana tjetër, edhe iniciatori i “qeverisë teknike” Ilir Meta i cili ka disa netë që nuk vë gjumë në sy, ka marrë të gjitha masat për bërjen gati të një mocioni mosbesimi të firmosur nga të paktën 28 deputetë, madje mësohet se është gati edhe “kabineti i ekspertëve”, i cili do të ketë si synim gjithpërfshirjen e palëve që do të kontribuojnë në rrëzimin e Ramës.

Çfarë thotë Kushtetuta  

Për këtë situatë të krijuar në Kushtetutën e Shqipërisë, ka dy nene. Njëri i cili parashikon rastin, kur kryeministri ndihet i rrezikuar dhe për të rikonfirmuar veten kërkon mocion besimi dhe një tjetër, kur grupime brenda parlamentit kërkojnë largimin e kryeministrit në detyrë, nëpërmjet një mocioni mosbesimi.