Për fat të keq, skenari i një shpërthimi konflikti  bërthamor pas kërcënimeve nga Koreja e Veriut, nuk është për t’u lënë në harresë. Edhe pse sot kërcënimi mes Phenianit dhe Uashingtonit është në retorikë, rreziku bërthamor është më afër se kurrë.

Po sikur të ndodhë?- pyesin miliona njerëz që, megjithatë, nuk besojnë akoma.

Çfarë ndodh nëse Kim Jong-un sulmon vërtet?

Shtetet e Bashkuara e kanë gati mbrojtjen e tyre, që përfshin sistemin antiraketor “THAAD”, i aftë të rrëzojë pa dallim raketa balistike me rreze të shkurtër, të mesme e të gjatë veprimi, si dhe luftanijet e pajisura me sistemin “Aegis”, i cili mund të gjurmojë 100 raketa njëkohësisht.

Që të dyja këto sisteme, funksioni i të cilave përmblidhet shkurtimisht nga analistët si “asgjësim i plumbit me plumb”, mund ta rrëzojë teorikisht një raketë me mbushje bërthamore pa e shpërthyer, edhe pse rrezatimi i pjesshëm i lëshuar në këtë rast do të përbënte rrezik.

Koreja e Veriut testoi së fundi një bombë me hidrogjen, duke bërë që në mbarë botën, por sidomos te fqinjët e saj, të bien kambanat e alarmit.

Cili është ndryshimi mes “Bombës H” dhe një bombe të zakonshme atomike? E para është një armë termonukleare, shumë më e avancuar se ajo bërthamor. Shpërthimi i saj do të ishte qindra herë më i fortë sesa ai i Nagasakit, apo Hiroshimës. Armët e përdorura në dy qytetet japoneze, të njohura si bombat “A”, funksionojnë në bazë të ndarjes së atomit.

Një neutron përplaset me bërthamën e tij, e copëton atë në dy pjesë dhe çliron kështu energji bërthamore. Bombat termonukleare përdorin si këtë proces, ashtu edhe shkrirjen (fusion), dhe funksionojnë në dy faza:

E para është copëtimi, e më pas në kushte nxehtësie atomet më të vogla si hidrogjeni përplasen me njëri-tjetrin për të rezultuar në një shpërthim me fuqi të shumëfishuar.

Bombat e hidrogjenit nuk janë përdorur kurrë deri më sot. Një e tillë e testuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1961 shkaktoi një shpërthim prej 50 megaton, gjë që i bën ato të Hiroshimës dhe Nagasakit të duken të vogla para saj.