Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhënë për Klan Kosovën, se nëse zgjedhet kandidati republikan, Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë kjo nënkupton kërcënim për vet Shtetet e Bashkuara, por edhe për raportet Shqipëri-SHBA, është bërë lajm edhe në Amerikë.

Prestigjiozja The New York Times ka shkruar për këtë pohim të Ramës duke iu referuar deklaratës së tij në Klan Kosova.

“Një javë para se të vizitojë Uashingtonin, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se kandidati republikan, Donald Trump, është një kërcënim për SHBA-të dhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, shkruan The New York Times.

Gazeta njujorkeze shkruan se “duke folur në një emision në Klan Kosova, Rama ka thënë se Trump do të sillte dëme të mëdha në SHBA, nëse zgjedhet President”.

“Rama ka thënë se nuk po flet për Republikanët, por për një ‘karakter që ka trullosur’, disa Republikanë aq shumë sa që tani ata po e shqyrtojnë mundësinë të votojnë për Hillary Clinton, kandidaten Demokrate”.

Rama do të vizitojë në ditët e ardhshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje do të takohet me Presidentin amerikan Barack Obama dhe zëvendëspresidentin Joe Biden.

Ora 23:18, 12 Prill 2016

/Veritas.com.al/