Javën e ardhshme do të nisë shembja e ndërtimeve pa leje në bregdet. Kryeministri Edi Rama u ka lënë afat pronarëve që kanë ndërtuar pa leje 5 ditë kohë, deri të hënën, që t’i shembin vetë, pasi në të kundërtën, pasojat do të jetë të rënda. Paralajmërimi shkon për të gjithë, që nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe shefat e policisë.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kreu i Kadastrës, Artan Lame, Rama iu bëri thirrje të marrin masa brenda kësaj jave, në të kundërt, kryeministri iu kërkoi atyre të lexojnë Kodin Penal, për të kuptuar se çfarë i pret. Nga ana tjetër,  Çuçi dhe Lame thanë se të dyja institucionet do të bashkëpunojnë për pastrimin e bregdetit shqiptar, në këtë aksion që vjen pak javë para çeljes zyrtarisht të sezonit veror.

Pas pastrimit të bregdetit, operacioni do të vijojë më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare.

“Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit). Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju”, shkruan Rama.

Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, për kryeministrin Edi Rama do të jenë prioritet per Policine e Shtetit, njësoj si lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Më herët, nisi dhe aksioni për të hequr ato që shesin buzë rrugës, me arsyetimin e cenojnë sigurinë e qarkullimit, pasi janë shndërruar në burim aksidentesh. “Tolerancë Zero për Paligjshmërinë”, ka përfunduar Rama.

VERITAS.COM.AL