(FOTO: Presidenti Nishani dhe presidenti Ivanon)/.

Gjatë Forumit të pestë Global të Bakusë në Azerbajxhan ku po merr pjesë, Presidenti Nishani është takuar me homologun e tij maqedonas Gjorge Ivanov.

Është momenti kur janë ngritur tonet nacionaliste mes dyshteteve për shkak se Maqedonia nuk lejon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Zgjedhjet e fundit në Maqedoni nuk arritën të formojnë qeveri, dhe kjo e ka shtuar ndjenjën e pasigurisë së shqiptarëve etnik në Maqedoni- sipas vëzhguesve.

Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje.

Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani theksoi se ata janë një faktor shtet-formues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime  për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Presidenti Nishani u prit edhe nga homologu i tij nga Azerbajxhani, si dhe u takua edhe me Presidentin e Gjeorgjisë. Në takimin me Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve si dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i çuar më përpara dhe intensifikuar edhe më shumë ato, veçanërisht në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik.

/Veritas.com.al/