Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë ditën e sotme në Samitin e jashtëzakonshëm të Krerëve të Shtetit të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, zhvilluar në Zagreg të Kroacisë. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se sulmet terroriste të ndodhura më 13 Nëntor në Paris, janë këmbana të forta alarmi.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin për zhvillimet ndërkombëtare pas sulmeve terroriste të Parisit dhe i konsideroi ato si kambana të forta alarmi. Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se, për shkak të këtyre zhvillimeve dhe vulnerabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në këtë rajon.

Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin: Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden; Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk; si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer. Samiti u fokusua në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.