Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishan mbajti sot një ligjëratë në “Oxford Union” mbi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor për paqen, sigurinë dhe pajtimin si dhe mbi integrimin në Bashkimin Evropian.

Siç njofton Zyra e Presidentit, në ligjëratën e tij, Nishani u shpreh se ajo që e bën edhe më shumë të nderuar, është fakti që këtij auditori i është adresuar edhe një shqiptare shumë e madhe, Nënë Tereza, e cila që prej shtatorit të vitit të shkuar është Shën Tereza e Kalkutës.

“Dëshiroj që edhe të përgëzoj Unionin e Oxfordit për rolin që luan për orientimin e debateve në tematikat më të mprehta të kohës. Ndaj dhe unë sot do të dëshiroja të ndaja me ju dy çështje që mendoj se janë thelbësore, si për vendin tim, ashtu edhe për sigurinë tonë të përbashkët.

”Presidenti Nishani vuri në pah faktin se Ballkani i njohur dikur me termin “fuçi baruti e Evropës”, tashmë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, shpërbërjes jokonsensuale të ish-Jugosllavisë dhe konfliktet etnike që e shoqëruan, por sidomos pas fitimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës hapi një kapitull të ri.

Veritas.com.al/