Në sallën “Skënderbeu” të Presidencës shqiptare kanë nisur homazhet në nder të ish-presidentit, Bujar Nishani.

Paraditen e së mërkurës, nga ora 10:00-14:00 dhe pasdite 16:30-22:00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

I pranishëm në homazhe ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili shprehu dhimbjen e tij për vdekjen e Nishanit.

Berisha tha se ish-Presidenti ishte një “një qytetar shembullor, prind i shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik”.

Automjeti me arkëmortin e ish-kreut të shtetit kaloi mbrëmjen e së martës në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ish-presidenti Nishani u nderua edhe nga forcat policore të Kosovës.

Arkëmorti u vendos në sallën e Presidencës “Skënderbeu” dhe, të entjen pas orës 12:00, do të dërgohet për te varrezat e Sharrës.

Ish-Presidenti Nishani ndërroi jetë të shtunën në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.

Bujar Nishani ndërroi jetë teksa po kurohej në spitalin e Berlinit.

Shëndeti i tij u përkeqësua, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka shkaktoi vdekjen.

Pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga institucione të rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Për ndarjen e tij nga jeta, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nga mediat ndërkombëtare.