21:08

Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë më e kujdesshme në deklarimet publike, kanë thënë dy zyrtarë të LDK-së, Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami në Rubikon të KTV-së, duke iu referuar deklarimeve të VV-së se duan të udhëheqin me Ministrinë e Brendshme, të Financave dhe të Drejtësisë.

Sipas këtyre dy zyrtarëve, çdo gjë në një koalicion të mundshëm qeveritar arrihet së bashku.

“Ata nuk i kanë fituar 61 mandate, njëmend duhet të jenë të kujdesshëm që mos të përdori terme tjerë”, ka thënë Hoti në Rubikon të KTV-së. “Çdo gjë caktohet së bashku. Edhe ne kemi plot pika që ndoshta duhet të arrijmë konsensus me VV-në sepse mund të mos përkrahen nga ta. Fakti që s’kemi fituar 61 mandate duhet të ulemi në tavolinë e të shohim çka ka thënë sovrani, ai ka thënë se duhet bërë bashkë”.

Në anën tjetër Bajrami ka thënë se VV-ja duhet të reflektojë në “përvojë, fushë e performancë”.

“Nuk do të ulemi në tavolinë ku ata do të zgjedhin çka të marrin dhe ne do të marrim çka ka mbetur”, ka thënë ajo.

Të dy kanë thënë se ka shumë shembuj se si mund të bëhet ndarja e ministrive, duke theksuar idenë që me short secili partner të zgjedhë ministritë.

20:37

Hoti: Me VV-në jemi dakorduar veç për postin e kryeministrit, të gjitha tjerat janë në tavolinë

Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se partia e tij dhe Vetëvendosja ishin pajtuar para zgjedhjeve që kushdo që fiton zgjedhjet e 6 tetorit do të marrë postin e kryeministrit.

Në Rubikon të KTV-së, duke folur për bisedimet mes partive për arritjen e koalicionit qeverisës, Hoti ka thënë se janë dakorduar vetëm për postin e kryeministrit.

Sipas tij, ky ishte parim i caktuar më parë dhe fituesi i zgjedhjeve e merr postin e kryeministrit, megjithatë, sipas tij, pasi dallimi në përqindje s’është i madh mes dy partive, edhe fuqia në qeveri duhet të jetë e balancuar.

“Asnjë nga këto dy parti nuk kanë ndonjë epërsi të madhe, qytetarët nuk ia kanë dhënë mandatin as Vetëvendosjes e as LDK-së për ta krijuar qeverinë të vetme por që vendi të udhëhiqet nga opozita e deritashme e këto dy parti të ulen e të bëjnë bashkë programet, gati të balancuar. Të balancojnë fuqinë e tyre në qeverisjen e ardhshme. Këtë kanë vendosur qytetarët”, ka deklaruar ai. “Jemi dakorduar veç për postin e kryeministrit. Të gjitha tjera janë në tavolinë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, për përfshirjen e Lutfi Hazirit në grupet punuese, Hoti tha se u bë për shkak se jo në çdo takim diskutohet vetëm për çështje programore.

“Nuk janë te gjitha çështjet programore dhe teknike, por edhe politike, si shembull dialogu, qasja e qeverisë ndaj dialogut dhe andaj duhet përfshirja e krerëve të lartë”, ka thënë Hoti.

20:22

Hoti: Në qeverinë VV-LDK s’bëhet autostrada e Dukagjinit

Nëse VV-ja e LDK-ja arrijnë marrëveshjen për qeverisje, rrafshi i Dukagjinit s’do të bëhet me autostradë.

Avdullah Hoti i LDK-së në Rubikon të KTV-së ka thënë se në vend të saj, ata do të bëjnë zgjerimin e rrugëve aktuale.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme, ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë, sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zonë ekonomike”, ka thënë Hoti.

“Nuk besoj që ka ndonjë problem që mos të realizohet brenda një mandati qeverisës”, ka shtuar ai.

20:14

LDK-ja thotë se reduktimi i numrit të ministrive bëhet për të rritur efikasitetin

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë takimeve për të krijuar qeverinë e ardhshme, janë pajtuar që qeveria e ardhshme të ketë 12 ministri.

Kjo, sipas Avdullah Hotit të LDK-së, nuk ishte e lehtë të bëhet mirëpo, po bëhet jo vetëm për të ulur numrin e ministrive, por edhe për të rritur efikasitetin.

“Po e marr veç fushën e ekonomisë, përveç financave, janë edhe katër resorte tjerë që merren me politika ekonomike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ajo e Tregtisë, Inovacionit, Zhvillimit Rajonal, ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Të gjitha vijnë tek ministria e Ekonomisë”, ka thënë Hoti. “Jo veç të reduktohet numri i ministrive, por për të rritur efikasitetin e funksionimit të Qeverisë. Një person do të jetë përgjegjës për politikat ekonomike. Çfarë ka pasur mundësi të bënte ministri i Diasporës për të promovuar investimet strategjike ndërkohë politikat ekonomike ishin kompetencë të ministrit të Tregtisë. E rëndësishme është se në bazë të kalkulimeve që lexova, që kursimet do të jenë rreth 15 milionë euro për katër vjet vetëm nga reduktimi i ministrive, këshilltarëve, etj.”, ka deklaruar Hoti në Rubikon të KTV-së.

Hykmete Bajrami nga kjo parti shpjegoi se kanë dy grupe punuese, ata të përhershëm dhe ata në bazë të temave që diskutohen. Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala janë të përhershëm, që marrin pjesë në çdo takim, ndërsa, tha Bajrami, ajo kishte marrë pjesë të hënën meqë tema isha ekonomia. Sipas saj, takimet po shkojnë mirë. Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë lloj tensioni.

VERITAS.COM.AL/