Nga Astrit Patozi/

Megjithëse nuk e fsheh se më pëlqen humori dhe ata që e përdorin mirë batutën në ligjërimin politik, nuk mund të rri pa e thënë se ka një gjë të madhe që nuk shkon në këtë fushatë.

E kuptoj mirë Edi Ramën, që po zbavitet dita-ditës nga gjetjet e veta, me gojë dhe me shkrim, me grafika apo barsoleta, por nuk po marr vesh fare se për çfarë arsyeje ne po i shkojmë atij nga mbrapa.

Zgjedhjet janë një gjë shumë serioze, çuna, që ta lësh fushatën të rrjedhë si gallatë hedhje-pritjesh në klubin e qofteve të lagjes. I pari i qeverisë është hallexhiu i “dasmës” në këtë rast, ndaj ai ku ta gjejë që ta ndërrojë temën, vetëm që të mos e pyesë njeri se përse në tavolina mungon mishi dhe rakia.

Por ka edhe një arsye tjetër, jo kaq të parëndësishme.

Kryeministri e ka për zanat këtë hazërxhevapin e batutave dhe ta ndjekësh atë sot është si të shkosh me dëshirë për të luajtur në fushën e tij. Ai sigurisht që nuk do debat për kanabisin, koncesionet, lidhjet me krimin, shëndetësinë falas dhe premtimet e tjera të pambajtura, por as për atë që do ndodhë nesër me shqiptarët, në rast se nuk do të jetë më në pushtet.

Por ne nuk kemi pse ia japim atë kënaqësi, me gjithë adrenalinën pozitive që mund të shkaktojë paqja e bekuar pas marrëveshjes dhe me gjithë tundimin që shoqëron gjithmonë garën e ping-pongut të humorit politik. Edi Rama ku ta gjejë që ne të merremi me “çitjanet” dhe “veladonët” e tij si uniformë fushate, sepse atë nuk e shqetëson fare debati për formën, ndërkohë që problemin kryesor e ka me përmbajtjen. Ju mund ta keni harruar, por ka qeverisur shumë keq “Rilindja” këto 4 vjet, çuna!

Ndaj le t’i lemë ca ditë bejtet dhe anekdotat, dhe t’u flasim seriozisht njerëzve për atë që ka bërë dhe nuk ka bërë kjo qeveri. Por mbi të gjitha me atë që do të ndodhë nesër, në rast se populli do të vendosë ta largojë nga detyra këtë kryeministër hokatar dhe do te mandatojë për të qeverisur ekipin fitues të “Republikës së Re”.

Ndryshe, do të mbahemi mend si njerëz që sokëllinin atëherë kur duhet të qeshnin, dhe bënin humor atëherë kur duhet të qanin. Zgjedhjet janë çështje më serioze, se sa e dini ju, çuna! (Facebook)

Veritas.com.al/