Nga Berat Buzhala/ Express

Ai çdo mëngjes kur zgjohet, bëhet gati, vë kollaren, parfumoset, merr çantën me dokumente të shumta, përqafon më të dashurit e tij, nëse i ka, dhe niset për në vendin e tij të punës për të ushtruar terrorin e zakonshëm psikologjik ndaj miliona banorëve të shteteve që shpresojnë që një ditë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është një profil për monumentin e burokracisë evropiane, komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn.

Më kapluan një palë djersë të ftohta kur e lexova një deklaratë të Johannes Hahn, komisionerit për zgjerim të BE’së, se si Kosova dhe Serbia paskan bërë progres në arritjen e një marrëveshje finale. Ai paska thënë se marrëveshja duhet të punohet nga të dy liderët e të dyja shteteve, pra Thaçi dhe Vuçiç. Pas djersëve më erdhi një si mundim.

U futa në Google që ta kërkoja një fotografi të Hahn që të postoja një status në FB për të, kur çfarë të shoh, i gjithë ekrani m’u mbush me fotografi gjelash të ndryshëm. E kuptova që Hahn, në gjermanisht, i thuhej gjelit. Qenka edhe eufemizëm për burrat seksualisht aktiv. Në rastin e z. Hahn ky eufemizëm është deri diku i saktë, edhe pse nuk e di nëse ka ndonjë terminologji për dikë që bën seks aktivisht me shtete. Pastaj vendosa që në vend të një postimi në FB, ta shkruaj një portret të atij që unë e konsideroj monumentin kryesor të byrokracisë evropiane. Të atij që unë e konsideroj si sëmundjen kryesore të Bashkimit Evropian. Jo të atij personalisht – edhe pse PO edhe atij personalisht – por të atij si fenomen.

Më duhet ta them hapur, se nëse dikush më bën ta urrejë deri në neveri Bashkimin Evropianm, atëherë numër 1 në toplistë është Johannes Hahn, shumë afër tij, në vendin e dytë, me fotofinish, është shefica e tij Federica Mogherini. Ta zëmë, për dallim prej tyre Jean Claude Junker më duket karakter interesant, përkundër, siç thuhet, dëshirës së tij për të pirë ndonjë gotë më shumë se sa duhet.

Hahn mund të jetë një njeri shumë i mirë, një familjar shembullor, mirëpo në sytë e mi, në mendjen time, në librat e mi, ai vazhdimisht ka qenë lloj i byrokratit, për të cilët Franc Kafka ka shkruar këtu e 100 vite më herët. Një byrokrat që punë dhe angazhim të tij ditor, dhe primar, e ka që të tjerëve t’ua nxi jetën me përgjigje qesharakisht ambiguoze.

Ai çdo mëngjes kur zgjohet, bëhet gati, vë kollaren, parfumoset, merr çantën, përqafon më të dashurit e tij, nëse i ka, dhe niset për në vendin e tij të punës për të ushtruar terrorin e zakonshëm psikologjik ndaj miliona banorëve të shteteve që shpresojnë që një ditë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por që për çdo ditë Hahn i përkujton ata se sa e vështirë është një gjë e tillë.

Çfarë punë e mërzitshme, dhe e poshtër, duhet të jetë kjo, ani pse nuk jam shumë i sigurt që ai e konsideron të tillë. Hahn më duket i realizuar në rolin e tij. Mënyra se si i kumton lajmet negative është e admirueshme, edhe pse më shumë se sa të kumtojë lajme negative ai duket i obsesionuar të transmetojë lajme të pakuptueshme, saktësisht të tilla çfarë i kumtonin Jozef K’së, derisa sillej e pështillej nëpër korridore të komplikuara të gjykatave dhe policisë.

“Ju keni arrit progres të jashtëzakonshëm, por të pamjaftushëm”.

 

“Kosova është shumë afër Bashkimit Evropian, por mundësia për t’u bërë pjesë e BE-së është minimale”.

“Kosova është shumë afër liberalizimit të vizave, por për këtë duhet edhe shumë kohë”.

“Pesë vendet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës nuk janë pengesë për integrimin e Kosovës në BE, por pa votat e tyre gjërat nuk mund të lëvizin”.

Të gjitha këto më ranë ndërmend, kur e lexova deklaratën e tij optimiste për progresin që po bëhet për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi. U shokova nga gëzimi. Thash, kjo duhet të jetë prej atyre rasteve të rralla kur e shoh z. Hahn të kënaqur me progresin. Mirëpo ironia është që ai është optimist, kur të gjithë ne të tjerët jemi pesimistë.

Si është e mundur kjo? Kjo është fantastike. Z. Hahn është optimist për progres për një marrëveshje, për të cilën askush nuk di asgjë.

Ai është optimist për një marrëveshje që thuhet që ka mundësi të përfshijë këmbime të territoreve, të cilën e kundërshton i gjithë populli i Kosovës, kurse deri dje shqetësohej dhe ishte i brengosur kur dikush fliste negativisht për ndonjë fjalë të tepërt në marrëveshjen e Prillit të vitit 2013. Nëse dikush thoshte që ajo marrëveshje ishte e dëmshme për Kosovën, Hahn mërzitej shumë, sepse sipas tij kjo e cenonte qetësinë në Ballkan. Kurse tash kur përmenden kufijtë, këmbimet e territoreve, ai thotë se këto janë lëvizje optimiste.  Në këtë moment qeshet fytyra e tij jokarizmatike. Kjo është fantastike. Është e mrekullueshme. Kjo e përshkruan më së miri këtë byrokrat gjakftohtë, ndoshta edhe cinik.

Që pesë vjet, sa herë që bëhej ndonjë progres në dialog, arrihej ndonjë marrëveshje, bëhej ndonjë gjë, ndonjë përpjekje e mundimshme, z. Hahn thoshte që kjo nuk mjafton, i ngrinte vetullat me skepticizëm, i rrudhte buzët i brengosur, bënte mimika të fytyrës që ma dridhnin zemrën. Tash, kur ne të gjithë po shastisemi në panik nga planet për lëvizje kufijsh, z. Hahn shpreh optimizëm. Çfarë është ky njeri kështu? E shqetësojnë nenet në statut të asociacionit, kurse e bëjnë të lumtur idetë për zhvendosje kufijsh?

Ky lloj i byrokratit zvarritët, bën drama, e vë në fytyrë një çehre të rëndë, lëshon pasthirrma, vesh petkun e personit të rëndësishëm, sa që flitet për çështje teknike dhe administrative. Sa më i vogël problemi, aq më e madhe drama. Kurse tash, kur po përmendet edhe lufta e mundshme në çdo të dytën intervistë, ai thotë që po bëhet progres.

Prandaj, jo rastësisht entiteti më ekonominë më të fuqishme në botë, Bashkimi Evropian, në politikë të jashtme është më pak relevant, ndoshta edhe se sa Turqia. Kur z. Hahn dhe Mogherini janë violinat e para të Bashkimit Evropian, autokratë dhe diktatorë, qoftë brenda, qoftë jashtë BE’së, hedhin valle. Për racën e politikanëve si Putin, Erdogan, Orban, Mogherini dhe Hahn janë salmon i tymosur për mëngjes.  Pa pikën e karizmës dhe lidershipit.

Unë veç kur e shoh zotin Hahn dhe zonjën Mogherini, e arsyetoj deri në njëfarë mase largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

Nëse ndonjëherë dikush në Bashkim Evropian dëshiron që byrokratit të panjohur t’ia ngris një përmendore, atëherë padyshim që ajo duhet të jetë në përngjasim më Johannes Hahnin.

 

*Titulli nga Veritas