(FOTO: Miq dhe të afërm të Agim Myrdinit duke iu lutur që të zbresë nga oxhaku)/

Nga: Laert Skiro/

Ai ka punuar në Uzinën e Përpunimit të Naftës, Fier, që në fillesat e saj. Sot Agim Myrdini është 62 vjeç, por ka punuar në Uzinë 30 vjet. I lodhur, i rraskapitur nga jeta, i rrënuar mes të rrënuarve.

Sot në mëngjes, Agim Myrdini vendosi të ngjitej në oxhakun e Uzinës dhe të hidhej për t’iu dorëzuar vdekjes. I kishte bërë llogaritë se i dilte më lehtë ashtu. Shkaku i fundit, ose pika në gotën plot, është ky tmerr:

Agimi ka katër muaj që nuk merr pagën. Me sot e me nesër, drejtori e Uzinës i ka thënë se do t’ia japë. Jo vetëm Agimi, por të gjithë punëtorët e Uzinës janë të pa paguar për katër muaj. Por Agimi e ka fijen më të hollë të jetës dhe u ngjit në oxhak për t’i dhënë fund.

… Ngjarja ndodhi sot në mëngjes. Oxhaku është i lartë 40- 50 metra dhe aty ndjehej i sigurt se nuk mbetej më gjallë. Mori me vete edhe një shishe benzinë, ndoshta i tha mendja se duke u vetëdjegur, hedhja nga lart do ti bëhej më e lehtë.

Oxhakun, ku po vetëflijohej Agimi, e kanë rrethuar punëtorët dhe disa nga pjesëtarët e familjes së Agimit. I luteshin e i përgjëroheshin që të mos e bënte këtë. Agimi ishte mes tyre 30 vjet dhe kishin pasur raporte të mira.

Pranë oxhakut u afrua edhe administratori i Uzinës, Avni Braçe. Edhe ky nisi të lutej. Po me çfarë argumenti?

Drejtori administrativ i premto te se do t’i jepte pagën sapo të zbriste nga oxhaku.

Sa pyetje dalin pas fatkeqësisë së Agim Myrdinit!?…

Pse drejtori nuk ia kishte dhënë pagën për katër muaj? Po të tjerët që nuk kanë marrë pagën a do ta marrin tani pas kësaj që bëri Agimi? Po vallë u dashka vetëflijuar jeta që të merret paga?

Çfarë tmerri?

Sikur të ndodhte ajo që mendoi Agimi- një tmerr. Tani që ka zbritur, prapë një tmerr. Sepse ai mund ta marrë rrogën e katër muajve, por katër muajt e ardhshëm çfarë do të jetojë? Prapa nuk ka rrogë, por nuk ka më as të drejtë morale që të hidhet nga oxhaku!

Shteti është prezent vetëm në kohën kur bie nga oxhaku ose nga vinçi ose nga humnera. Atëherë je “i mirë” dhe meriton lule. Më parë nuk ka as rrogë. Legjenda e privatizimeve në uzinat e Fierit dhe të Ballshit është një legjendë krimi e korrupsioni, e shpallur para të gjithëve edhe në media e në Kuvend. Tani një jetë njeriu, as njëmijë jetë njerëzish nuk zgjidhin asgjë në xhunglën e vjedhjeve dhe korrupsionit shtetëror.

Agim Myrdini e ka provuar jetën në të gjitha fatkeqësitë: Ka humbur gruan e parë. Ka humbur gruan e dytë. Ka humbur djalin…. Tani shteti “social” nuk i jep as pagën për djersën e tij.

Ai zbriti në tokë, por nuk shpëtoi nga tmerri sot në mëngjes.

/Veritas.com.al/