Nga: Lida Apoloni/

Para pak ditësh pashë që në programin e mëngjesit në TVSH, me ancorman Enkel Demi, ndodhej edhe violinistja e njohur shqiptare Ervis Gega. Mu bë se ishte intervistuar në Gjermani, por jo, ishte këtu. Thashë si ka gjetur kohë të ndodhet në Tiranë për aq gjatë sa edhe ta marrin televizionet… Kaq të zënë në punët e artit në Gjermani dhe në Europë e kam parë violinisten Ervis Gega, vitet e fundit…

Ervis Gega është një nga personalitetet e mëdha të brezit të saj në fushën e violinës. Ajo mban titullin akademik të Profesores në Universitetin “Johannes Gutenberg” në Mainz si dhe në Konservatorin Peter Cornelius. Ervisi vazhdon traditën e madhe të profesorit të saj legjendar të violinës Yfrah Neaman, duke edukuar studentë të rinj të talentuar.

Ervisi është violinistja më e re në moshë në historinë e Akademisë së Muzikës së Dhomës “Villa Musica”, e pranuar atje si pedagoge që prej vitit 2005. Përve­ç kësaj ajo luan në formacione të ndryshme muzikore të kësaj akademie me instrumentistë të tjerë të njohur. “Villa Musica” është një akademitë më të famshme të muzikës së dhomës në Evropë, ku përgatiten kontigjente të zgjedhura studentësh shumë të talentuar.

Si Koncertmaestre e parë e Filarmonisë Klasike të Bonn-it (Klassische Philharmonie Bonn) Ervis Gega vazhdon të edukojë një brez muzikantësh të nivelit të lartë për t’u bërë pjesëtarë orkestrash dhe u mundëson atyre të debutojnë me sukses në salla qendrore koncertesh në të gjithë Gjermaninë.

Prej tetorit 2017 Ervis Gega është profesore e violinës në Akademinë e Kurseve muzikore Master (Talent Music Master Courses Academy) në Brescia, Itali.

Ajo ka gjithashtu masterklasat e saj në Akademinë e Muzikës së Landit Rheinland-Pfalz dhe është docente e Orkestrës së Të Rinjve të Landit të Rheinland – Pfalzit.

Shtypi ndërkombëtar thekson tingullin e saj të plotë, të ngrohtë dhe pasionin e zjarrtë në interpretimet e saj. Ervisi është vlerësuar nga studiuesit e muzikës klasike si “gjeni i teknikës së violinës” dhe “vullkan muzikor”. Krahas forcës së lartë shprehëse, studiuesit veçojnë “hijeshinë dhe elegancën” e lojës së saj në violinë, në të cilat kombinohet  “sensualiteti mesdhetar me virtuozitetin e natyrshëm, të shkallës më të lartë”. Revista e njohur në botë e muzikës klasike “Strad” e ka quajtur Ervis Gegën një “talent unikal”, me një “prezencë skenike elektrizuese”.

Veritas.com.al/