Ish-drejtorit të ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës në vitet 2006-2011 Ferdinand Shehu i janë sekuestruar 1.5 mln euro pas hetimit të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, raporton Raport Tv.

Shehu ka qenë drejtor për Tiranën në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni “Investimi”. Sekuestrohen 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme

Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme dhe të shumave financiare, që dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi”, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish – punonjës i administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.

Ka reaguar edhe vetë ish drejtori i ALUIZN-it

“Aktualisht ndodhem në Itali, nuk kam asgjë për të fshehur, do të kthehem në Shqipëri. Transaksioni që po kryeja ishte në përputhje me ligjet shqiptare, në rrugë bankare dhe noter. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime”, ka thënë ai.

VERITAS.COM.AL/