Nga: Lulzim Basha/*

Si do t’i shtyjë Rama edhe tre javë, me dajre? A do ta lëmë të kalojë këto tre javë pa dhënë llogari asnjë ditë të vetme?! Sepse nuk do të përballet me të vërtetat, sepse të vërtetat janë këto që i di unë dhe gjithë bota: taksat e larta, shëndetësia në kolaps, ekonomia copë copë. Nuk ka çfarë të thotë: Çfarë do të bëjë në 4 vitet e ardhshme, do të mbjellë palma, do të vërë palma?! Këto janë punë të pushtetit lokal, punë e kryeministrit është ekonomia.

Tani ka ardhur momenti vëllezër e motra! Ju e mbani mend terrorin mbi sipërmarrëjen, mbi qytetarët e thjeshtë që iu rrit brenda natës fatura e energjisë elektrike. Ju e mbani mend braktisjen totale të fshatit, fermerët e lënë në mes të rrugës.

Ju e dini se qindra të rinj kuksiane nuk janë këtu mes nesh dhe dergjen sot anekënd dyerve të azilit. Revolta juaj ka qenë e përditshme. Nuk ka pushuar asnjëherë. Por tani ka ardhur momenti, kjo është ora e Kukësit, ora e Shqipërisë. Tani ka ardhur momenti për gjithçka që Edi Rama premtoi dhe nuk bëri. Ky është momenti që ta ndëshkoni me votën tuaj më 25 qershor.

Këto zgjedhje nuk janë vetëm për ndëshkimin e Edi Ramës. Me këto zgjedhje ju keni në dorë të hapni një derë që u mbyll me tulla në këto vite demokracie.

Kjo është dera kur me votën tuaj do të ndryshoni sistemin kushtetues duke jua dhënë menjëherë pushtetin juve qytetarëve, por kjo është dhe ora kur me republikën e re ju do të mund të zgjidhni një program, një kryeministër që nuk do të merret as me përçmimin, as me talljen tuaj, as me veten  tij, me qejfet e tij, me pasurimin e tij, por me familjet tuaja, Hasin dhe Tropojën.

Unë nuk do të jem kryeministri i fasadave, i ekraneve, por i kuksianeve, hasianëve dhe tropojanëve të thjeshtë, kryeministri i vendeve të punës dhe ndaj do të nis menjëherë zbatimin e planit tonë ekonomik.

Vetëm ulja e TVSH-së do të gjenerojë 4 milionë euro më shumë në vit në xhepat e shqiptarëve. Ulja e taksës së sheshtë në 9% do të gjallërojë ekonominë. Klima e vdekur e ekonomisë do të marrë fund.

Hapi im i dytë do të jenë 10 mijë stazhe për 10 mijë të sapodiplomuar. Me përfundimin e universitetit 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë praktika të paguara për 1 vit me radhë që të ndërtojnë urën nga universiteti drejt tregut të punës.

Kjo nuk është lëmoshë për rininë, as lëmoshë sociale, por politikë e fuqishme ekonomike.

Fermerët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në republikën e re ka 100 milionë euro subvencione për ta , pa sekserë, pa NIPT, pa burokraci. Krahu i doganës sipas modelit të Presidentit Trump do të ulet dhe do të mbyllet për të gjitha produktet e huaja që konkurojnë padrejtësisht. Djersën e fermerëve të Kukësit nuk do ta konkurojë më asnjë fermer i subvencionuar nga vendet e Europës sepse çdo pikë djerse e fermerit shqiptar do të peshojë njësoj si ajo e çdo vendi tjetër.

Fabrika do të hapen e vende pune për shkak të taksës së ulët.

Vendimi i parë do të jetë eliminimi i taksës “Rama” mbi naftën. Nafta benzina, hidrokarburet do të kushtojnë më 220 lekë më pak se sot.

Një shtet i fortë ndërtohet mbi nj ekonomi të fortë ndaj ja pse ekonomia do të jetë thelbi i punës sime.

Me këtë kam parasysh planin tonë për shpenzimet sociale

Kujdesi për fëmijët shqiptarë në shkolla do të jetë absolut jo vetëm për ushqimin, por edhe me mundësinë të bëjnë detyrat, të merren me sport, të mësojnë një gjuhë të huaj. E nesërme e sigurt do të thotë ti japim fund skemave koncesione në shëndetësia

Shëndetësia falas është një mashtrim kriminal që ka kushtuar 1.5 miliard euro. Këto para përfunduan në xhepat e 4 koncesionarëve për koncesione që nuk sjellin asnjë leverdi: që e kanë bërë me detyrim për të marrë ndihmën ekonomike, që nxjerrin 10 mijë të vdekur rahmet paçin, chek up i famshëm që i nxjerr burrat shtatzanë dhe gratë me prostatë. Këto do të eliminohen.

Nuk ju premtoj se brenda 4 vitesh se shëndetësia do të kapë nivele zvicerane por se do të shërbehen njësoj ose më mirë se në Maqedoni, pacientët shqiptarë dhe së bashku do të shkojmë drejt standardit evropian.

Tani, çfarë mund të bëjmë me pensionet. Milionat e bankave ai i do për vete.

Me këto qindra miliona euro që kanë shkuar për buzëkuq elektoral palma që janë tharë ne do të fillojmë duke rritur pensionet vit për vit që të arrijmë nivelin 25 mijë lekë për 650 mijë pensionistët shqiptarë dhe për ndihmën ekonomike që jepet me një dorë dhe merret me dorën tjetër, të rritet dhe faturat deri në 300 kilovat dhe fatura e ujit të paguhet nga buxheti i shtetit për familjet në nevojë ekonomike.

Këtu në Kukës kam një fjalë që e kam thënë para dy vjetësh: hapja dhe vënia në funksion të plotë e universitetit të Kukësit si një qendër e fuqishme rajonale edhe për vëllezërit e motrat nga Kosova. Këto do të jenë punët që unë do të bëj nesër si kryeministri i republikës së re.

Le t’i bjerë sa të doja Ilir Meta, daulleve nuk do të ketë pasur më shi për tokat e “shpk”-së. Tokat e “shpk”-së nuk do të kenë më shiun pushtetit. Pazari i vjetër politik i politikës së vjetër merr fund e bashkë do ta themelojmë republikën e re dhe unë do të punoj natë e ditë që shpresat të kthehen në projekte

*Fjala e mbajtur në mitingun elektoral të Kukësit