Frrok Çupi/

Kemi hyrë në një vakum. Më duket se kemi hyrë prej ditësh, por sidomos hapësira kohore deri në mëngjesin e datës 25, është bosh. Ose ekziston, por është njësoj si të jetë, si të mos jetë!

Do të bëjmë edhe pak humor, do të gjejmë edhe disa batuta, do të bëjmë sikur kemi tension, dhe kaq… vjen data 25. Po sa e pakuptimtë aq edhe e lodhshme është; duhen gjetur edhe disa truke dhe disa batuta, asgjë më shumë.

Këto janë zgjedhjet e para që nga periudha e diktaturës komuniste, kur dita e votimit nuk ka pikë rëndësie. Ka një ngjashmëri të frikshme mes këtij 25 qershori dhe ditës së votimit në diktaturë. Në diktaturë- dita e votimit ishte ditë ‘feste’, por pa pikë rëndësie se mund të kishte surprizë. Në mbrëmje, çuditërisht, as njerëzit me tru të shpëlarë, nuk kishin pikën e kuriozitetit se si doli rezultati. 40 vjet ishte kalcifikuar shifra 99.99 për qind; askujt nuk i dilte nga mendja e askujt nuk i mbetej në mendje… Edhe kësaj here data 25 qershor, për herë të parë në shoqërinë pluraliste, nuk ka pikë rëndësie. As këto katër ditë që kanë mbetur deri sa të ‘kapim’ njëzetepestën, nuk kanë vlerë. 4 ditë, ashtu si edhe ditët pas 18 Majit të Marrëveshjes PS-PD, nuk kanë ndonjë mundësi që të ndryshojnë diçka.

Jo si në diktaturë- me shifrën 99.99%, por në të njëjtën linjë, rezultati dihet. Rezultati është vendosur në 3 orët e Marrëveshjes mes Partisë Socialiste (ish- komuniste) dhe Partisë Demokratike (ish- antikomuniste). Rezultati është ky: Asnjëri nuk do të mbetet pa pushtet!

Prandaj data 25 nuk ekziston; ekziston vetëm data 26. më 25 do të jenë harruar të gjitha: Çadra, Vettingu, batutat, droga, vjedhjet, lufta, të plagosurit dhe menaxherët e luftës… Më 26, menjëherë sapo të dalin shifrat e zgjedhjeve, që në atë moment do të nisë ndarja e pushtetit. Kryetari i PS e ka quajtur ‘tepsi’, por pas kësaj edhe kryetari i Opozitës dhe LSI ‘king maker’ kanë adoptuar fjalën ‘tepsi’. Data 26 ekziston, bash për këtë arsye ekziston…

Data 26 ka marrë kuptim, madje edhe peshë, aq më shumë se gjatë rrugës po ndodhin gjëra që e venë në njëfarë luhatjeje mënyrën si do të ndahet pushteti në tre pjesë.

Çfarë po ndodh?

Papritur, sot dhe dje, u vu re se si PS edhe PD ndryshuan qëndrimin ndaj LSI-së. LSI fitoi dy honore të mëdha prej tyre. E para, nga PD dhe PS mori numëruesin e tretë në KZAZ- një betejë e gjatë e LSI nga ku dukej se varej një pjesë e jetës së saj. Nga PD përfitoi heshtjen, ndërsa më parë ishte sulmuar egërsisht. Së dyti, PS i garantoi sot LSI-së se ‘nuk është objekt i sulmit të saj” dhe se ‘nuk jemi hiena’ për njëra tjetrën- sipas kryeministrit… Me sa duket, LSI mbetet përsëri rezervë për ndarjen e pushtetit: O PD, o PS do të bëjnë aleancë me LSI sipas këtyre zhvillimeve.

Aleanca më e mundshme qëndron mes PS dhe PD. Kjo formulë do të ishte ‘e lavdërueshme’ për aleatët. Një kompozim i tillë mund të kontrollohet më mirë nga ndërkombëtarët se nga populli brenda vendit. Që tani duket hija e këtij lloji kontrolli: Një ministër i PD ka vënë përpara zyrtarët e lartë të PS; nesër do të bëhet edhe e kundërta.

A mund të rrojë gjatë një koalicion PS-PD? Ka një rrezik, që njerëzit të mbajnë mend sa fjalë të rënda kanë përdorur dy liderët kundër njëri tjetrit. Edhe pse njerëzit e kuptojnë teatrin, përsëri do t’u mbetet shije e keqe kur t’i shikojnë së bashku udhëheqësit ‘e konsumuar’. Do të shfaqet edhe rreziku i asimilimit të njërës nga të dyja: PS ose PD. Megjithëse PS tregoi se nuk u asimilua as në kulmin e lavdisë së PD (viti 1991-92). Do të vijë edhe rreziku i një oponence brenda radhëve të Demokratëve…

Pas datës 26 parashihen punë të vështira, edhe pse ‘nën të njëjtën çati’. Projekti perëndimor i përfolur si projekt për një qeveri pa kryeministër ‘me peshë të madhe’ po trondit lidershipin në të dy anët…

Kush e di?!… Por pritet data 26. 25-a nuk ka rëndësi, ose nuk ekziston. Është vetëm 26-a.

Veritas.com.al/