Në dosjen e hetimit të palës italiane dhe shqiptare, mbi veprimtarinë e grupit kriminal ku është i përfshirë edhe ish- ministri dhe deputet socialist, Saimir Tahiri, ka të dhëna se ministri i brendshëm ka përdorur postin zyrtar për të siguruar paprekshmëri të grupit kriminal të trafikut të drogës në Itali.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me palën Italiane, del se Gramoz Habilaj- kushëri i Saimir Tahirit që është arrestuar në Itali, ka bashkëpunuar m zyrtarë të lartë të shtetit duke qenë prapa ‘familjarit’ dhe bashkëpunëtorit të Saimir Tahirit.

Kundrejt shpërblimeve ndaj Tahirit ka përfituar lehtësira në krim dhe ka kultivuar kanabis.

Në dosjen hetimore citohet:

“Personi në hetim Moisi Habilaj, në bashkëpunim me persona të tjerë  duke përfituar nga lidhjet e ngushta me ish- ministrin e Brendshëm, dhe kundrejt shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasisë së konsiderueshme të lëndëve narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar në destinacion jashtë vendit.

Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar edhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal dhe sigurinë e kultivimit dhe të kalimit të sasive të konsiderueshme dhe lëndëve narkotike.

E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e Policisë së Shtetit, ku përfitimet direkt monetare shkonin te ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri”.

Veritas.com.al/