Është nxjerrë i pajetë trupi i 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar pas zjarrit që ra në një magazinë tek Casa Italia.

Sipas policisë tek “Casa Italia” si rezultat i kërkimeve intensive, të pandëprera, nga zjarrëfiksit dhe shërbimet e policisë, mëngjesin e sotëm u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë, që dyshohet se i përket shtetasit Arjan Sala.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se trupi është identifikuar nga xhaxhai i 32-vjeçarit, dhe më pas është dërguar në morg. Trupi ka disa djegie në pjesë të ndryshme, por si strukturë është e rregullt. 32-vjeçari ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se 32-vjeçari ka luftuar shumë orë për të mbijetuar, pasi ishte mbuluar edhe me rroba dhe ishte fshehur në një dhomë të magazinës, ku dhe u gjet i pajetë.

Zjarri ra pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 një magazinë tek Casa Italia. Referuar dëshmisë së familjarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë.  Magazina ishte në bodrumin e qendrës tregtare dhe shërbente si vendgrumbullim materialesh që shiteshin në dyqanin lart. Rezulton se ajo të ketë qenë e tejmbushur me materiale. Në momentin e rënies së zjarrit në magazinë kanë qenë rreth 20 punonjës të cilët kanë arritur të shpëtojnë përveç kolegut të tyre që i ndihmoi, Arjan Sala.

Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan të gjitha forcat zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, nga Kamza, të Ushtrisë si edhe operacionet e kërkim shpëtimit të minierave. Familjarët madje ngritën akuza në drejtim të zjarrfikësve ku pretenduan se ajo ka mbërritur me vonesë dhe sikur kjo të mos mjaftonte nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë djalit të tyre.

VERITAS.COM.AL