Kryeministri  Edi Rama, gjatë një fjalimi në Samitin Rajonal të Transportit, ka gjetur rastin të flasë edhe për nismën rajonale “Open Balkan”, duke theksuar se është jetik realizimi i këtij projekti madhor, ndërsa u ndal edhe në lidhjen që “Korridori blu” do të bëjë në rajon.

Projekti i Ballkanit të Hapur nënkupton në vetvete implementimin e katër lirive themelore evropiane në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto katër liri kanë të bëjnë me lëvizjen e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve.

 “Këto katër liri të lëvizjes së BE në Ballkanin Perëndimor janë ajo çka për ne është jetike, ajo çka për sigurinë në këtë rajon është jetike, ajo çka për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve në këtë zonë të Evropës është jetik”, ravijëzoi kryeministri.

Projekti i korridorit blu, nga ana tjetër, kërkon të lidhë Ballkanin që nga pjesa më veriore e Kroacisë, deri në Greqi, përmes një rruge që kalon edhe në Shqipëri.

Për këtë projekt, Rama theksoi se duhet edhe ndihma e Bashkimit Evropian, mbi të gjitha për Malin e Zi, sepse “nëse segmenti malazez mbetet i pazhvilluar, atëherë një pjesë e këtij korridori humbet”.

“Ne jemi në një fazë të avancuar të korridorit blu. Është në rrugën e ndërtimit, segmente të tjera janë në fazën përfundimtare të tenderit ndërkombëtar dhe, në harkun e këtij mandati të tretë, ne do të shikojmë frytet e këtij kantieri të madh”, vijoi ai.

Vend në fjalim zuri edhe plani ekonomik i investimeve, duke u mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.