Këmbënat e alarmit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri për një kërcënim të mundshëm që shënjestron një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim, që do të mbahet në Durrës, nuk ranë në vesh të shurdhër.

Në fakt, kërcënimi duket se konsiderohet aq serioz sa qeveria shqiptare ka kërkuar shtyrjen e Samitit Botëror për Iranin e Lire, një event mjaft i rëndësishëm ky për opozitën iraniane.

Kërkesa e ekzekutivit shqiptar është pranuar nga drejtuesit e Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane.

”Samiti Botëror i Iranit të Lirë i planifikuar për t’u mbajtur më 23 dhe 24 korrik në Ashraf 3, Shqipëri, shtyhet deri në një njoftim të dytë me rekomandime të qeverisë shqiptare dhe për shkak të kërcënimeve terroriste dhe komploteve të regjimit të mullahëve”,  thuhet në njoftimin e Sekretariatit të këtij këshillit.

Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3, një kompleks ky i fortifikuar rëndë.

Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-tën pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha.

Organizata politike e rreshtuar në krah të kundërt me regjimin e ajatollahëve të Iranit, është në konflikt të hapur me të e përndiqet edhe në mërgim.

Grupi është në shënjestrën e Gardës Kombëtare iraniane. Raporte të ndryshme tregojnë se shërbimi sekret iranian ka rekrutuar edhe shtetas shqiptarë për t’i mbajtur muxhahedinët e MEK-ut nën vëzhgim, e për këtë paguheshin nga Teherani.

Që në 2018-tën është hapur një dosje që flet për rrezikun e një goditjeje të mundshme në Shqipëri. Tre vjet më parë, u zbuluan planet e një celule terroriste iraniane që pretendohej se do të kryente një sulm terrorist në vendin tonë në ditën e Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve.

Katër shtetas të huaj me shtetësi iraniane u shoqëruan atëherë në polici. Janarin e 2020-tës, u shpallën ‘non grata’ e u dëbuan nga Shqipëria dy diplomatë në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit, në Tiranë, për shkak të “zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.

Njoftimi theksonte se  dy diplomatët “kishin tentuar të kryenin aktivitete kundër komunitetit muxhahedin” në Manzë.