Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka shpallur sot koronavirusin pandemi, raporton BBC-ja.

Deri më tash, nga ky virus janë infektuar mbi 120 mijë persona, ndërkohë kanë humbur jetën mbi 4300 persona si pasojë e tij.

“Jemi të shqetësuar për nivelin alarmant të shtrirjes dhe seriozitetin e sëmundjes, si dhe për nismat e pakta të marra për të”, thuhet deklaratën e OBSH-së.

Për veprimin, është deklaruar edhe kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom.

“Pandemia nuk është një fjalë që e përdorim lehtë ose nga pakujdesia. Është fjalë që, nëse e përdorim gabimisht, mund të shkaktojë frikë të pajustifikueshme ose pranim të pajustifikueshëm të mendimit se lufta ka mbaruar, duke çuar në vuajtje dhe vdekje të panevojshme”, tha drejtori i OBSH-së, Adhanom.

Me pandemi nënkuptohet kur një epidemi lokale shtrihet në shumë shtete e kontinente dhe ka tendencë të dalë nga kontrolli.

Pandemia, si masë më e rreptë mbrojtëse, ka një periudhë veprimi. Sëmundja vazhdon të quhet ashtu derisa të stabilizohet gjendja.

Në të kaluarën, disa sëmundje ishin shpallur pandemi.

E fundit ishte H1N1 më 2009, ndërkohë më tragjikja ishte “Gripi Spanjolll” më 1918-1919, që mori nga 17 milionë deri në 50 milionë jetë njerëzish. Atëbotë, popullësia në botë ishte më pak se dy miliardë banorë.

Besohet se u infektuan rreth 500 milionë njerëz.

Ndërkohë, si pandemi e shpallur më 1981, vazhdon të llogaritet ende virusi HIV. Pra bashkë me koronavirusin, janë dy pandemitë aktuale.

VERITAS.COM.AL/