Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar, të mërkurën e 15 dhjetorit, dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për ligjin “Për Bashkëqeverisjen”, duke e rikthyer në Kuvend për votim.

Pro dekretit kanë votuar vetëm tre anëtarë të komisionit, Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula dhe Erisa Xhixho. Ndërkohë, të gjithë deputetët e mazhorancës kanë votuar kundër, duke e rrëzuar atë.

Pas kthimit nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta të ligjit për ‘Bashkëqeverisjen’, ka pasur debat në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, ndërmjet këshilltarit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj dhe ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Dervishaj theksoi se ky ligj cenon parimet kushtetuese dhe centralizon kontrollin tek një institucion në varësi të kryeministrit.

“Detyra e kryeministrit nuk është të krijojë një agjenci në varësi të tij që të ndërmjetësoje marrëdhëniet me qytetarët. Krijimi i një agjencie të re në varësi të kryeministrit nuk përputhet me rolin, misionin, dhe detyrat e administratës shtetërore. Një tjetër problem është mbivendosja e kompetencave, centralizimin e pushtetit”.

Gjithashtu ai tha se një tjetër problematikë ka të bëjë me parashikimet e ligjit për të ruajtur autonominë e pushtetit vendor.

“Agjencia për dialog mund të marrë edhe kompetenca për pushtetin vendor. Një parashikim i tillë bie ndesh me decentralizimin e pushtetit vendor. Këshilli i Ministrave e ka humbur komplet idenë e parimeve kushtetuese, megjithatë është detyrë e Kuvendit që të distancohet. Kuvendi nuk duhet ta miratonte, por duhet të ishte udhëhequr nga parimi i shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve, decentralizimit të pushtetit vendor”.

Një tjetër problematikë, sipas tij është se Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje merr edhe kompetenca propozuese të akteve para Këshillit të Ministrave, ndërkohë që një e drejtë e kësaj natyre i takon kryeministrit, ministrave.

Nga ana tjetër, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se projektligji i është nënshtruar njoftimit për konsultim publik, në lajmërimin që është shpallur në mënyrë elektronike.

“Nuk janë paraqitur vërejtje dhe sugjerime nga subjekte të interesuara. Presidenti ka argumentuar vetëm që ka përsëritje e parimeve të parashikuara në kod, por ky nuk është mosrespektim i tij, por parashikon koherencën në raport me kodin. Presidenti nuk ka analizuar asnjë normë të ligjit që të bjerë në kundërshtim me parashikimet e kodit. Nuk merr përsipër të zëvendësojë parashikimet e kodit”.

Në ligj, sipas saj nuk ka as kundërshti, as mbivendosje, nuk cenohen parimet dhe dispozitat kushtetuese.

“Ligji nuk bie ndesh me ligjin për ndërmjetësin, sepse nuk trajton statusin dhe të drejtat e ndërmjetësve. Kontrolli që do kryejë agjencia nuk ndërhyn në procedurë apo përmbajtje në kontrollet e institucioneve të tjera. Nuk ka vend për diskutime për centralizimin. Arsyet e kthimit nga presidenti janë të pabazuara”, theksoi Spiropali.