Parlamenti Evropian e ka shpallur Rusinë si “shtet sponsor të terrorizmit” për aktet “brutale dhe çnjerëzore” të shkaktuara ndaj Ukrainës dhe qytetarëve të saj që nga fillimi i pushtimit

Rezoluta u miratua me shumicë dërrmuese:  494 vota pro, 58 kundër dhe 44 abstenime, gjatë seancës plenare mujore në Strasburg të mbajtur sot më 23 nëntor.

Teksti bashkoi tre rezoluta të ndryshme të paraqitura nga Partia Popullore Evropiane, Renew Europe dhe grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR).

 

Në versionin përfundimtar, eurodeputetët denoncuan “luftën e paligjshme, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit” të Rusisë kundër Ukrainës.

 

Ato akuzuan ushtrinë ruse për kryerjen e një liste të gjatë krimesh, si sulmet në infrastrukturën thelbësore, vrasjen e mijëra civilëve dhe qindra fëmijë, ekzekutime, rrëmbime, përdhunime, ngacmime, tortura, ndalime masive dhe dëbime të detyruara.

Si rezultat i të gjitha këtyre “mizorive”, Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të zhvillojnë një kuadër ligjor krejt të ri që mund të mundësojë përcaktimin e një vendi të tërë si sponsor të terrorizmit.

Lista aktuale e terrorit e BE-së, e cila u krijua pas 11 shtatorit dhe rishikohet çdo gjashtë muaj, i lejon bllokut vetëm të vendosë në listën e zezë individë dhe organizata të veçanta.

Deri më tani, janë shtuar vetëm 13 persona dhe 21 subjekte, si Hamasi, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Kolumbisë (ELN) dhe krahu ushtarak i Hezbollahut.

Si një mjet i politikës së jashtme, çdo ndryshim në listë do të kërkonte unanimitetin e të 27 vendeve të BE-së.

Përveç këtij ndryshimi ligjor, PE-ja kërkon një “izolim gjithëpërfshirës ndërkombëtar” të Rusisë dhe një reduktim të mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike.

“Kontaktet me përfaqësuesit e saj zyrtarë në të gjitha nivelet duhet të mbahen në minimumin absolut të nevojshëm”, thanë ligjvënësit.

Rezoluta vjen disa ditë pasi Rusia nisi një breshëri të re sulmesh kundër infrastrukturës kryesore të Ukrainës, duke ngritur frikën për një eksod masiv njerëzish përpara sezonit të dimrit.  /Albanianpost.com