“Peshku i madh” duket se ka rënë në rrjetë. Pas më shumë se 2 muajsh në kërkim, i janë vërë prangat ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ai është arrestuar në Romë, ku dhe ka qëndruar përgjatë këtyre javëve.

Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg lënë në fuqi edhe nga Apeli me akuzën e refuzimit për deklarimin, mosdeklarim dhe fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive” i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar në pranga.

Ish kryeprokurori iku nga Shqipëria një javë përpara se gjykata e Apelit të jepte vendimin ndaj tij dhe për herë të fundit ai u fotografua në stacionin e trenit në Romë.

Për të konfirmuar arrestin e Llallës në SPAK këtë të hënë ishte edhe Drejtori i përgjithshëm Gledis Nano. Ndërkohë burime pranë Llallës mohojnë arrestimin duke deklaruar se ai ka njoftuar policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjes për kërkesën që ai ka bërë për azil politik.

Kush është Adriatik Llalla?
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës  u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi  më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg.