Është gjetur pas disa ditësh kërkime minatori 61-vjeçar Muharrem Plaku në thellësinë e galerisë në Zonën e Parë të minierës së qytetit të Bulqizës.

Trupi i tij u gjet mesnatën e kaluar nga kolegët e tij që kanë kërkuar pa ndërprerje. Është dashur shumë kohë dhe mund për largimin e mbi 300 m3 material për të shkuar deri në thellësinë 500 metra ku edhe është gjetur trupi i pa jetë i 61-vjeçarit. Minatori ishte zënë poshtë nga një sasi tepër e madhe minerali, e shembur në hapësirën e galerisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 15 shtator në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, e cila operon në zonën e parë krom-mbajtëse të Bulqizës, ku 60-vjeçari mbeti i bllokuar në minierë pas shembjes së një masivi shkëmbor.

Që nga ajo ditë e në vijim, minatorë të galerisë ku ndodhi aksidenti, dhjetra të tjerë nga galeritë fqinje si dhe ekipet e shpëtimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, punuan për të gjetur teknikun.

Kjo është e para herë që në galeritë e Bulqizës, procesi për nxjerrjen e minatorit që humbi jetën zgjat kaq gjatë në kohë. Policia e Bulqizës ka ndaluar inxhinierin e Galerisë si dhe përgjegjësin e punimeve, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun e shembjes së galerisë.