Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani, ka deklaruar se “Belgjika ka vendosur ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta”.

 

“Lajmet e këqija për Shqipërinë nuk kanë të sosur. Në kulmin e sezonit turistik dhe në prag të diskutimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Belgjika ka vendosur ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta”, tha Ristani.

 

Sipas tij, lufta kundër krimit dhe trafiqeve bëri që në vitin 2012 Belgjika ta fusë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim i rëndësishëm i parapriu vendimit për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Schengen. Por, prej tre vitesh, nën qeverisjen e Edi Ramës, standardet e sigurisë kanë shkuar në zero dhe janë ngritur në maksimum lehtësitë e mbështetja për krimin, për trafiqet, për drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, për trafikun e armëve, për grabitjet me maska”, tha Ristani.

 

“Asnjë vend i Bashkimit Europian, asnjë vend demokratik nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku me urdhër të kryeministrit dhe ministrit të brendshem, fshihet urdhër-arresti ndërkombetar i INTERPOL, siç ndodhi në rastin e Mark Frrokut, apo ku policia ndihmon në arratisjen e Arben Frrokut të dënuar përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend, ku kryeministri zëvendëson ligjin me sundimin e bandave, ku krimi është veshur me pushtet dhe pushteti me krim; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku trafikantë droge, tutorë prostitucioni e përdhunues, bëhen deputetë, kryetarë bashkish, e drejtues të larte të administrates dhe policisë së shtetit; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend që, me bekimin e kryeministrit dhe nën mbrojtjen e ministrit të brendshem, është kthyer në hambar droge, kufinjtë janë bërë inekzistent përballe trafikut dhe deti është pushtuar nga skafet që transportojnë drogë; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku në një pikë të rëndësishme të sigurisë kombëtare si Aeroporti, grabiten me armë miliona euro, policia refuzon të bëjë detyrën dhe pastaj gënjen, dhe kryeministri hesht, ndonëse njerëzit e tij më të ngushtë si Eno Bushi avokati i tij, janë aksionerë të firmës së sigurisë”, shtoi Ristani.