Nga L. Skiro

Po priten ditë të vështira me fillimin e vjeshtës.

Pas grushtit të shtetit (të dështuar) në  Turqi, po dalin parashikimet e disa analistëve që kishin thënë se pas ngjarjeve të 15 korrikut në Stamboll mund të rëndohet çështja e emigrantëve nga Siria dhe vende të tjerë të Lindjes së Mesme. Momenti kur presidenti i Turqisë po tregon shenja të kthimit të kurrizit ndaj Europës, dëshmon edhe një herë më shumë se marrëveshjet Turqi- BE mbi emigrimin do të pësojnë goditje.

Mediat greke njoftojnë se Athina është e shqetësuar nga një kolaps i mundshëm i marrëveshjes së refugjatëve BE-Turqi dhe kërkon mënyra që të jetë e përgatitur për një skenar të tillë.

Athina është duke bërë një plan të shpejtë dhe afatshkurtër për të përballuar një rritje të mundshme të refugjatëve, EurActv.com, duke cituar mediat greke, përcjell Syri.net.

Kryeministri grek Alexis Tsipras do të ndërprerë pushimet e tij të shkurtra dhe do të mbajë në fundjavë, takime me ministrat për këtë çështje.

Sipas gazetës “Ta Nea”, Ministri i Emigracionit Yiannis Mouzala dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Dimitris Vitsas u është kërkuar të punojnë për këtë plan emergjence.

Rruga e emigrantëve nëpër Greqi do të thotë, padyshim, një kalim i tyre përmes territorit të Shqipërisë. Praktikat e mëparshme, edhe pse minore, kanë dëshmuar se Shqiëpria është krejt e papërgatitur për të pritur e përcjellë valë emigrantësh. Aq më e rëndë bëhet situata kur mendojmë se gjendja ekonomike e popullsisë vendase është shumë e rënduar, në gjendje më të ulët se kurrë më parë.

Por edhe Greqia nuk mund të kthehet në një “tampon” për të ndaluar lëvizjen e emigrantëve që hyjnë në territorin e saj.

Kryeministri grek Tsipras pritet të paralajmërojë liderët e BE-së se Athina nuk do të jetë në gjendje të përballojë një rritje të madhe të të fluksit të refugjatëve nga Turqia si rezultat i situatës së brendshme pas përpjekjeve për grusht shteti.

Qeveria greke e koalicionit planifikon gjithashtu të përfshijë zhvendosjen e menjëhershme të emigrantëve jashtë kapacitetit nga ishujt e Detit të Veriut drejt kontinentit.

 

Tirana ka shprehur shqetësim të thellë për rritjen e valëve të migracionit në kufirin greko-shqiptar, duke thënë se të mërkurën, më 10 gusht, policia arrestoi 26 refugjatë afganë, ndër të cilët 18 ishin minorenë.

 

Policia shqiptare pritet të kthejë sërish në Greqi, emigrantët e arrestuar, që kishin për qëllim të udhëtonin drejt Malit të Zi.

Një çështje tjetër është sa e kontrollon qeveria shqiptare territorin e vet. Në momentet e vështira të emigrimit, siç dihet, rritet edhe më shumë presioni i mafies së emigracionit dhe trafikantëve të qenieve njerëzore. Kohët e fundit, analistët si dhe politikanët parlamentarë kanë konstatuar se është rritur më shumë krimi në vend, që nga vjedhjet dhe deri te vrasjet e trafikimi. Brenda koalicionit qeverisës është konstatuar se “ministria e brendshme dhe Policia e shtetit nuk po kryejnë detyrën”. Vetëm para dy ditësh, ish- ministri i Brendshëm, Luan Rama, tani zyrtar i lartë i LSI në koalicion qeveritar, u shpreh se “ministria duhet të lërë konferencat dhe karshillëkun” për t’u marrë mme luftën kundër krimit.

Një valë refugjatësh do të krijonte një gjendje të re të rëndë për vendin.