Pas Shqipërisë edhe Kosova u ka hapur dyert afganëve, duke pranuar strehimin e tyre pas kërksesës së SHBA. Konfirmimin e ka bërë presidentja Vjosa Osmani e cila thotë se menjëherë pas dakordësimit institucional qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues.

Ka qenë kërkesë e SHBA, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë thotë Osmani. Ndërsa thotë se ka dhënë pëlqimin e saj për një operacion të tillë humanitar Osmani nënvizon se qytetarët afganë do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë.

Edhe Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”. “Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Dy ditë më parë agjencia e lajmeve Reuters citoi dy burime amerikane t’i kenë thënë se “Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët”.

Pasi kryeministri Edi Rama pranoi kërkesën e SHBA për strehimin e afganëve në vendin tonë dhe tha se edhe Kosova duhet ta praojë një ftesë të tillë, i pari që reagoi nga Kosova ishte ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një mendje me Ramën, Haradinaj shkroi se edhe Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.