Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka reaguar pas akuzave të bëra nga LSI-ja, gjatë ditës së sotme, ku u dhunuan disa simpatizantë të kësaj force politike.

Nënkryetari i LSI, Luan Rama, kërkoi shkarkimin nga detyra të Haki Çakos, pas rasteve të dhunës ndaj mbështetësve të LSI në Pukë e Fushë-Krujë.

Në reagimin zyrtar pas këtyre akuzave, Çako, thekson se gjatë paradites së sotme iu ka nisur një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë fushatës.

Telegrami:

“Drejtues të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, në vlerësim të ngarkesës aktuale dhe në zbatim të detyrave për prioritetin e rëndësishëm ligjor të menaxhimit të procesit zgjedhor; në kushtet e përballimit të ditëve të fundit të fushatës zgjedhore ku intensiteti i aktiviteteve dhe i incidenteve me motive politike duket në rritje, Ju udhëzoj:

– për angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative

– të kryeni vlerësim të menjëhershëm, objektiv, intensiv dhe profesional të ngjarjeve, situatave dhe pretendimeve, kallëzimeve të subjekteve politike ose individëve në kuadrin politik.

– në të gjitha rastet të njoftohen Prokurorët e rretheve gjyqësore, të kryhen veprime konform ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodin e Procedures Penale

– të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore

– të përcillet informacion objektiv dhe real për çdo veprim policor dhe situatë në qendrën e koordinimit të procesit zgjedhor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

Veritas.com.al/