Po të bëhet e vërtetë se do të nisë një epokë kundër shpifjeve, kjo do të ishte një mrekulli për të gjithë qytetarët. Njerëzit normalë po ndjehen keq nga viti i shpifjeve, sidomos nga shpifjet në publik, përmes mediave dhe konferencave publike e në Kuvend. Modelin e politikës e ka adoptuar një pjesë e madhe e publikut dhe shpifin pa fund…

Shpifjet kanë çuar deri në konflikte të armatosura dhe rrezikun ndaj jetës së njeriut.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se do të nisë ‘stina’ kundër shpifjes. Përmes medies sociale Rama ka paralajmëruar se ‘do të paditet kushdo që shpif për qeverinë, ministrat apo qoftë dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste”.

Përmes një postimi në rrjetin social, kryeministri i vendit ka bërë publik vendimin e tij për të paditur këdo dhe cilindo që sipas tij do të shpifë për qeverinë e socialistët. Kreu i qeverisë shkruan se s’mund të durojë dot më llumin e baltës dhe sajesat politike që bien në kurrizin e qeverisë që ai drejton.

Kësisoj Rama ka bërë një paralajmërim për të gjithë, kush shpif do të paditet në gjykatë. Kryeministri e ka “zbukuruar” më tej paralajmërimin e tij për përballje në gjykatë, duke thënë se paratë e fituara në gjyqe do t’i shkojnë fondit të edukimit.

Rama shprehet se në PS do të ngrihet një departament “anti-shpifje”, i cili do të ketë për detyrë detektimin e tyre, ndërsa më pas beteja do të vijojë në gjykatë.

SOT U THËRRITËN TË PARËT: SHPIFËSI DHE PADITËSI

Në rolin e shpifësit sot u paraqit në Prokurorinë e Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Paditësi kundër tij është deputeti i PS, Taulant Balla.

Padia e Taulant Ballës ka të bëjë me thëniet publike të Lulzim Bashës se ‘Balla ka qenë prezent në Policinë e Fushë Krujës kur i është ushtruar presion nënkomisarit Nuhu’ që tashmë është arratisur nga vendi. Balla ka dhënë dëshmi të ndryshme se thënia e Bashës është shpifje dhe i ka këruar një dëmshpërblim.

BALLA DO TË NDËRTOJË KOPËSHT NË LIBRAZHD

Deputeti Balla ka deklaruar se do të ndërtojë një kopësht për fëmijë në Librazhd duke përdorur paratë që do të marrë si dëmshpërblim nga Lulzim Basha. Ideja e ndërtimit të kopështeve e shkollave me lekët ‘haram’ që do të vilen nga shpifësit, është marë nga deklarata e kryeministrit Rama, i cili tha se “paratë e fituara në gjyqe do t’i shkojnë fondit të edukimit”.

Veritas.com.al/