Frrok Çupi

 Të gjithë presin heshturazi derisa kjo të vijë…

Në fakt, kush kishte mend dhe kujtesë të mirë, e ka parë që prej dekadash se një ditë do të ishim në Tokën e Djegur. Regjimi komunist kishte fytyrën e Herostratit, zjarrvënësit të Athinës së lashtë; nga kjo do të na vinte një ditë edhe Toka e Djegur. E veja e diktatorit Hoxha, pardje tregoi një gjë “të sinqertë”. Ajo deklaroi se familja e “Zeusit” të saj, me zor mbyllte muajin derisa merrte rrogën tjetër. Edhe i shoqi kishte shkruar më parë se ulej e arnonte çorapet. Të tjerët, në këmbë të këtyre, vallë çfarë kishin? As për të arnuar….

Kur u kthyen në pushtet bijtë e drejpërdrejtë të nëpunësve më të lartë të nomenklaturës komuniste, atëherë kush kishte mend kuptoi se këta u kthyen në vendin e krimit. Erdhën për të bërë atë që nuk e kishin arritur të parët e tyre: Të djegin tokën. Tjetër gjë nuk kishte mbetur…

Ja ku jemi…

Nesër nuk do të ketë më asgjë. Ministrat, duke nisur që nga ministri i Shëndetësisë, po vjedhin gjithçka i përket njeriut të qeverisur. Pse e nisën me Shëndetësinë? Njësoj si Herostrati me Artemisën. Kur zjarrvënësi dogji Tempullin e Perëndeshës, e zgjodhi për të dhënë sinjalin se gjithçka tejtër ishte e pushtueshme. Këta që kanë futur duart fort në fondet për shëndetësinë dhe nuk po lënë gjë më këmbë, këta e kanë bërë për të djegur qelizën njerëzore. Të tjerat nuk vlejnë para jetës, dmth., pas vdekjes në spital, jashtë spitalit, në klinikë e jashtë klinike.

Domethënë nesër nuk do të kemi më tempull për perëndeshën Shëndetësi.

Nesër nuk do të kemi në thesar as aq para sa na duhet për të mbajtur jetën për pesë ditë. Qeveria e parë që erdhi në momentin “trans” të komunizmit, deklaroi se kishte veç gjashtë ditë bukë. Nesër, kur të ikin këta, thesari do të jetë krejt bosh. Thonë se nuk janë mbledhur paratë në dogana!, por nuk dihet nëse janë mbledhur e kanë avulluar, apo edhe nuk janë mbledhur. Kompanitë e huaja që u ngarkuan me këtë punë, morën paratë dhe ikën. Këshilltari britanik i qeverisë mori paratë e iku. Vëllai i kryeministrit ka shtënë në dorë gjithçka ka mbetur, çfarë ka mbetur sipas deklaratës së qeverisë tranzitore se “veç gjashtë ditë bukë kemi”. Agjenci perëndimore monitorimi kanë dëshmuar se veç nga tritoli i qeverisë mbi ndërtesat “pa leje”, shqiptarëve iu kanë humbur rreth 2 miliardë euro. Koncesionet e nënshkruara në 90 ditë i krijojnë buxhetit një gropë më se gjysmë miliardë euro. Kryetari i qeverisë ndërton vilë si bunker miliona dollarë ” duke shitur një libër”. Vila si bunker kushton më shumë nesër se sot; nesër qytetarët e uritur do ta shikojnë si karshillëk force dhe kushedi çfarë mund të bëjnë. Veç njëra pjesë e pasurisë e kryeministrit është llogaritur në 200 milionë euro, aq sa i duhen gjithë vendit për të dalë nga varfëria ku ndodhet. Vjedhjet dhe pagesat e dyshimta për kompaninë CEZ marrin qindra miliona euro. Brenda qeverisë është ngritur kulti i luksit. Ekonomia e vjedhur në xhepat e të qeverisurve është dërguar jashtë vendit, në bizneset “offshore”…

… Nesër do të na mungojë miqësia e njëri tjetrit.

Këta po e kundërvenë njeriun kundër njeriut, po i japin urrejtje. Veriu i vendit është caktuar si target diskriminimi, siç ishte në periudhën e diktaturës. Kryeministri ka deklaruar para pak ditësh se veriorëve “nuk ua njoh gjuhën”. Pak para se të bëhej kryeministë,r që nga Kukësi deklaroi se “kur vij këtu më neveritet ardheu”. Në një fjalim në skajin më jugor të vendit, njerëzit e veriut i quajti “alpin” dhe fajtorë për gjithçka të keqe që ka ndodhur deri më sot. Gati po thërriste për kryqëzata kundër tyre. Në Kukës, veri, pasuria natyrore e kromit është rreth 400 milionë tonë, por asnjë kilogram nuk shkon në dobi të njeriut të asaj zone të varfëruar.

Edhe Jugu po kaq i poshtëruar, por i poshtëruar duke e lavdëruar. Dy a tre vetë po venë në dorë gjithë pasurinë e perlës së Bregut. Nesër, dmth., kur të realizojnë këta programin e “Tokës së Djegur”, askush nuk do të vijë më në këto brigje mahnitëse. Kush do të vijë? Alpinët ndjehen të diskriminuar. Lebërit nuk kane vend sepse janë nga malet. Bregasit do ta kenë të ndaluar të shkelin në pronat e Koços dhe të Edit.

Krimi është tërhequr si aleat i Shteti. Ky i vë shqiptarët në një armiqtë si të përgjakshme.

Europën që e kishin armikun e etërve, tani e shikojnë si aleate në krim. Një nga Konventat Europiane , ajo e vitit 1977 e Gjenevës, nr. 54, përcakton qartë se ” ndalohet që të shkatërrohen, të tjetërsohen ose të jepen me qera objektet e domosdoshme për jetesën e popullsisë civile”. Mirëpo këta morën tokën dhe detin…

… Nesër nuk do të kemi më idenë ku i kishim kodet dhe parimet tona. Kanë rikthyer vitin 1967, kur regjimi i diktaturës goditi për vdekje kodin gjenetik të besës e mirëkuptimit, kultin e familjes dhe besimin. Kësaj here këta nuk e filluan nga kishat dhe xhamitë; kësaj here këta e nisën nga kupola e shtetit. Kupola e shtetit është mbajtur gjallë për të dëshmuar para botës se jemi edhe komb shtetformues. Këta e nisën që atje thyerjen dhe përdhosjen. Mes dy krerëve të shtetit, njëri mbyll tjetrin në ashensor. Mes dy krerëve të shtetit, njëri i bën isharete tjetrit dhe mbasdite gajasen para kamerave televizive. Këta e mbushën Kuvendin, që është tempulli i Shtetit dhe i Demokracisë, plot me vrasës dhe me trafikantë.

Këta e nisën djegien e Tempullit që nga maja.

Nesër nuk do të ketë gjë. Të gjithë presin qetësisht Tokën e Djegur. Kemi kohë që e dinim, të paktën ata që kishin pak mend dhe pak kujtesë.