Partia Demokratike ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) padinë për menaxhimin e krizës së energjisë nga Qeveria shqiptare.

Dy nënkryetarët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Enkejd Alibeaj u shfaqën të premten e 15 tetorit në ambientet e SPAK-ut.

Alibeaj, në fjalën e tij, u shpreh se do të ketë edhe padi të tjera.

Depozitimi ishte i paralajmëruar më parë nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, i cili shpesh e ka theksuar se “kjo nuk ishte një krizë energjetike, por korrupsioni”.

Edhe gjatë seancës parlamentare të 14 tetorit, kryedemokrati theksoi se “korrupsionin nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ato që abuzojnë me djersën e tyre”.

Sipas Bashës, kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë plan për mbrojtjen e konsumatorit. Përkundrazi, Qeveria do të marrë sërish borxh për ta përballuar këtë krizë të pritshme.

“Marrja e milionave të tjera borxh, ngarkon vetëm qytetarët dhe asnjë tjetër. Janë 200 milionë euro borxhe të tjera tanimë për Shqipërinë”.

Kryedemokrati ka akuzuar Qeverinë edhe për çështjen e Partneritetit Publik-Privat, të njohur si PPP.

Situata, për Bashën, është shqetësuese, sepse këto tenderime kanë tashmë 50% të projekteve.

Rritja e pritshme e borxhit publik është po ashtu temë retorike për Bashën, i cili tha se kjo gjë vjen pikërisht nga PPP-të dhe janë pasojat e tyre.

“Korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ata që abuzuan dhe abuzojnë me djersën e tyre tendera luksi, kompani konsulence që mbushin xhepat në mënyrë korruptive, klientelizëm dhe punësime politike në administratat përkatëse të KESH-it dhe OSHEE-së”, shtoi ai.