Kryetarët e grupeve parlamentare të dy partive të opozitës, PD- LSI kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndaj kryeministrit Edi Rama. Kallzimi penal ka për objekt  audio-përgjimin që kreu PD për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Kreu i grupit të PD, Edmond Spaho tha se opozita kërkon hetim penal ndaj Ramës për shkak të pengimit të zbulimit të së vërtetës, ndërsa kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, u shpreh se në vend ekzistojnë dy prokurori, ajo ku u bë kallëzimi penal dhe prokuroria e Edi Ramës.

Një nga ‘punëtorët’ e trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë, i mbiquajtur ‘Babale’ ka pranuar se është bashkëpunëtor në krimin e trafikut të narkotikëve, por është kthyer në bashkëpunëtor të opozitës duke regjistruar një bisedë të fshehtë me vëllain e ministrit të brendshëm- edhe ky i akuzuar si trafikant narkotikësh. Përgjimi u konsiderua ‘i montuar’, gjë që e deklaroi edhe kryeministri Rama para se të bëheshin verifikimet. Por ende, sot e kësaj dite, akoma nuk kemi një rezultat përfundimtar. Pikërisht ky është objekti i padisë së opozitës.

Spaho:

Ne ju drejtuam Prokurorisë të hapë hetim penal kryeministrit ndaj Edi Ramës për pengim të vërtetës, duke mos dorëzuar provën në fjalë, ekspertimin që ai ka bërë në një periudhë aq të shkurtër kohore në një nga laboratorët e botës.

Vasili:

Kjo është një nismë e përbashkët e jona për të ndarë qartë prokurorinë para të cilës janë të barabartë shqiptarët nga prokuroria paralele e kryeministrit. Ky kallëzim sot vë përpara opinionit publik që në Shqipëri funksionojnë dy prokurori, kjo prokurori ku kemi ardhur sot të bëjmë kallëzimin penal dhe prokurorinë e kryeministrit që ka bërë hetimin, ka bërë ekspertizë, ka nxjerrë edhe rezultate që i ka bërë publike, dhe mbi bazën e të cilave mban në këmbë qeverinë e tij. Pasi ka thënë qartë se e kreva ekspertizën, mora rezultatin, ishte e manipuluar dhe në bazë të kësaj po i jap vullnet ministrit të Brendshëm të vazhdojë detyrën.

Veritas.com.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.