Lulzim Basha, kryetar i PD, ka kallëzuar në SPAK 3 deputetë të tij dhe 2 zyrtarë demokrat, për falsifikimin e vulës dhe simboleve të PD-së, në Kuvendin e Sali Berishës së 11 dhjetor. Report Tv ka mësuar se janë kallëzuar në SPAK, deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso, Ervin Minarolli.

Duke i quajtur ish-funksionarë, pasi i shkarkoi dje, në kallëzimin e bërë në SPAK, PD-ja argumenton se ‘grupi berishian’ ishin në dijeni se po kryenin një vepër penale, por pavarësisht kësaj, kanë vijuar për të realizuar qëllimet e tyre. PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi 3 nga të kallëzuarit janë deputetë. Ato akuzohen për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.

‘Këta janë përsona që kane patur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e SPAK të PD.