Nga: L. Skiro/

Partia Demokratike (PD) është bërë si trapi i katundit; herë e merr me qira njëra lagje e herë tjetra, për të kapërcyer lumin. Kësaj here e ka radhën Ilir Meta; në datën 2 Mars i ka hipur në kokë t’i dalë lumit matanë. Trapin ia ka dorëzuar kryetari i PD, duke njoftuar të gjithë anëtarët që t‘i gjenden pranë Metës e t’i japin një dorë.

Lumi ku do të kapërcejë Ilir Meta sjell ujëra të vjetra, gati 30 vjeçarë. Se po të ishte për ujëra të sapo zbritur nga mali, Ilir Meta i ka si një pendë zogu. Mirëpo tani janë mbledhur shumë: Ka vila, ka nofkën ‘floriri’ sepse ish kryetari legjendar i PD dhe gjithë Shqipëria e kanë akuzuar se ka vjedhur rreth 300 kile floririn nga depo e Thesarit; ka dy viktima të mbuluara përtej Dajtit- për të cilat ish presidenti i Republikës e ka kallëzuar publikisht; ka videon tragjike të Dritan Priftit me vjedhje sy për sy e për të cilën me sa duket vetë Priftit iu shkurtua jeta; ka bllokun e zi të vjeljes së parave ministër për ministër; ka katër viktima të pafajshme që ranë në bulevard për shkak të korrupsionit të Metës dhe ‘këta që vrau  Meta edhe i shau’ e iu tha kokëpalarë…

O zot sa tmerre ka bërë ky njeri, që tani ka marrë me qira trapin e vjetër e do me kalue lumin.

Vetë Partia Demokratike ka pasur shpesh nevojë për një trap për vete për të kaluar lumin e Ilir Metës që donte ta mbyste PD-në, por tani PD nuk ka mendje për t’i kujtuar. Shkurt, Ilir Meta po tenton të shpëtojë kokën e vet, të shpëtojë pasurinë e vjedhur dhe krimet e stërfolura, e për këtë merr nga PD disa njerëz skllevër që do të quhen ‘ trapi i vjetër’.

Më parë, Ilir Meta kishte marrë si trap shpëtimtar vetë zyrën e Presidentit të Republikës, nga vetë duart e maxhorancës socialiste. Mirëpo presidenca nuk i përket më e nuk i bën punë; Drejtësia e Re po pret te dera e Presidencës si një ‘xhahil’ që ia ka prerë ditën Ilir Metës. Për këtë po kërkon popullin e PD që të fshihet nga xhahili.

Në fakt, PD, nga një parti anti- komuniste e orëve të para është kthyer në trap për shumë njerëz, dmth për liderë. Me trapin e PD-së po duan të kalojnë krimet e viteve 96 e 97 e 98 e këndej e andej, abuzimet me financat publike, vrasjet e kundërshtarëve, shkeljen e gjykatave dhe të drejtësisë, aferat e mëdha me famë botërore për keq…

Të gjithë e kanë kaluar lumin me këtë trap të vjetër… Atëherë pse të mos e kalojë edhe Ilir Meta?

VERITAS.COM.AL