“Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve”.

Ky ka qenë reagimi i selisë blu, menjëherë pas deklaratës së Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të cilët kanë akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha se po vendos dyer të blinduara.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e ish-kryeminsitrit kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur”.

“Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve”.

Sipas përfaqësuesve të  PD-së, shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5 mijë e 4 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë.

“Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre”.

Më 15 dhjetor, kryetari i Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi, i “zhbëri” vendimet e kryetarit të bluve, Lulzim Basha, duke argumentuar se Kuvendi i 11 dhjetorit – i njohur si Kuvendi i Berishës – nëpërmjet një rifreskimit të logos dhe vulës së demokratëve, ka bërë të mundur zhvlerësimin e vendimeve të Bashës.

As një muaj më vonë, Basha bëri një lëvizje në seli, duke vendosur në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.

E, në fakt ky vendim, vjen në ditën e tretë të vitit të ri dhe vetëm dy ditë përpara një ultimati që Berisha i ka vendosur kryedemokratit.

“Lër karrigen, ose anëtarësia, do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”.

Ky është pretendimi i Berishës, i cili ka parashikuar edhe thirrjen e protestave më 8 janar, nëse Basha nuk lë karrigen.

Nga ana tjetër, një prej mbështetëseve të Berishës, Evi Kokalari, ka pretenduar se ndryshimi i pamjes së selisë i bërë nga Basha, është realisht një “blindim me ushtarë të armatosur brenda godinës”.

“Dy konkluzione mund të nxjerrim me këto veprime. Lulit i ka hipur frika në palcë nga protesta paqësore e 8 Janarit. Luli po tregon karakterin e tij diktatorial ku i ka thënë vetes do ta mbaj selinë peng me dhunë”.

Kështu shkruante Kokalari në profilin e saj në Facebook.