Nuk i dihet ende nëse LSI e presidentit Meta do ta falë apo do ta dhunojë popullin shqiptar ditën e zgjedhjeve, 30 qershor. Por PD, që bënte sikur udhëhiqte dhunën, deklaroi se na ka falur.

Sot, pas vizitave të dendura të përfaqësuesve perëndimorë në zyrat e tyre, ata të PD kanë deklaruar se dhunë nuk ka për të ndodhur.

Enno Bozdo nga PD ka qenë këtë të mërkurë në Top Talk për të folur për këtë aksion politik të opozitës dhe zhvillime të tjera të aktualitetit politik.

Ai ka përjashtuar mundësinë e dhunës më 30 qershor, duke deklaruar se PD, e jo vetëm, do të bëjnë thirrje deri në fund për moszhvillimin e zgjedhjeve.

“Deri në datë 30 do të shpalosen mënyra të ndryshme për të ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve. Nga vendi në vend do të ndryshojnë”, tha Bozdo duke theksuar se “Garantoj se dhunë dhe imponim vullneti nuk kanë për të ndodhur”.

Sipas tij, dhuna më 30 qershor është diçka që kundërshtarët politikë të PD e ëndërrojnë, por që s’ka për të ndodhur.

“Temperatura është shumë e nxehtë dhe jo e gjitha mund të kontrollohet nga PD. Ashtu siç nuk kontrollohet zemërimi publik gjatë një tubimi, edhe më datë 30 jo të gjithë mund të kontrollohen. Por sigurojmë se për sa i përket PD, e theksoj se distancimi nga dhuna dhe elementëve që çojnë në dhunë është shumë i qartë”, tha ai.

Kur tha se jo të gjithë kontrollohen, e kishte fjalën për aleaten LSI

Veritas.com.al