Kohët e fundit, brenda PD janë shtuar zërat që i bëjnë thirrje ish- kryeministrit Berisha të kthehet në krye të PD në këtë situatë të vështirë të ekzistencës së PD-së.

Ish-ministri dhe ish-deputeti i PD-së, Arben Imami deklaroi sot se Lulzim Basha dhe filozofia e tij e drejtimit të partisë po e shkatërron Partinë Demokratike.

Imami ka hedhur në opinion tezën e largimit të Lulzim Bashës. Ai ka përmendur disa sondazhe të brendshme të partisë që tregojnë se Basha nuk ka mbështetje te votuesit dhe as në opinion.

Ai ka theksuar domosdoshmërinë e ndërhyrjes më të fortë të ish kryeministrit Sali Berisha që PD të mos humbasë. “Të shkojmë drejt shkatërrimit të të gjitha mjeteve…? Kemi pranuar shumë gjëra për hir të gjetjes së zgjidhjeve, e nuk po e arrijmë, mesa duket po dështojmë, po e fus edhe unë veten, s’po mbyllet kjo çështje nëse shkon drejt asaj rruge që po shkon, do ishte e tmerrshme. I vetmi njeri që qëndron mbi palët është Berisha, ka nevojë për një ndërhyrje që dikush te i cili kanë garanci të gjitha palët se mund të qëndrojë mbi palët për aq sa mundet. Kjo është një çështje e tij dhe e kam vështire të jap një mendim, në respekt të personalitetit s’do doja të shprehem më tepër se sa e quaj unë të nevojshme”,- tha Imami.

Ai shtoi se “Berisha është personaliteti më i rëndësishëm në këtë parti, që për mbi 20 vjet ka qenë drejtues i saj dhe i vetmi ndoshta që nëse dështojnë të gjitha mjetet, nëse shterron edhe koha dhe s’ka më kohë mbase duhet të gjejë mënyrën, rrugën për të ndikuar më fort më mirë më seriozisht në këtë proces, se cfarë dhe si, është cështjë e tij, jo e imja, s’mund ti caktoj unë zotit Berisha një detyrë të tillë. Sa më i rëndësishëm personaliteti, aq më të mëdha janë përgjegjësitë”.

Ish-ministri i PD-së thekson se nëse Basha nuk vepron shpejt dhe Berisha nuk ndërhy, por e lë partinë të shkojë në zgjedhje e radhës me ketë filozofi PD nuk mund të shpëtohet më. ““Nëse në zgjedhjet e ardhshme Lulzim Basha hyn me këtë filozofi, PD nuk e merr më veten, nëse kjo parti do të shpëtohet për t’u shpëtuar edhe ky vend për tu futur në rrjedha normale, PD s’mund ti humbë në mënyrë skandaloze zgjedhjet e ardhshme, e kuptoj që s’mund ti fitojë, por s’mund t’i humbë në mënyrë skandaloze”,- tha Arben Imami.

Veritas.com.al/