Përpara selisë së  ambasadës së Greqisë në Tiranë u zhvilluan protesta kundër marrëveshjes Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë dhe për deklaratat që vijnë nga shteti helen për mohimin e termit “Çamëri” në tekstet shkollore.

Në protestë marrin pjesë shoqata “Çamëria”, Partia për ‘Drejtësi, Integrim dhe Unitet’, si edhe përfaqësues të ‘Republikës’ së vetëshpallur në Maqedoni “Ilirida”.

Para ambasadës janë mbledhur dhjetëra qytetarë çamë me flamujt kuqezi, si edhe me plisa të bardhë në duar.

Të pranishëm janë edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, të cilët kanë kërkuar transparencë për Marrëveshjen mes dy vendeve.

“Nuk kërkojmë të ndryshojmë kufinj por një ndjesë”, tha Idrizi i cili foli për të drejtat e njeriut dhe kërkoi që emri ‘Çamëri’ të mos fshihet nga tekstet shkollore. Idrizi u kap fort pas deklaratave të presidentit grek, për të fshirë emrin “Çamëri”.

“Ne kërkojmë atdheun dhe atdheu jonë është Çamëria. I bëj thirrje popullit grek, kryeministrit të Greqisë: Ne shqiptarët e Çamërisë nuk kërkojmë të ndryshojmë kufijtë, por një ndjesë për të falur, që dy popujt të jetojnë si popuj miq. Populli grek të na pranojë në shtëpitë dhe vatrat tona. Gjithmonë do të na kenë përballë, të fortë, në këmbë.

I drejtohem Presidentit të Greqisë, që na flet për të drejtat e njeriut, ndërkohë që nuk kam parë asnjë shqiptarë t’i japë përgjigje. Na flet për të drejtat, kur vendi i tij ka përzënë të gjithë komunitetit, nuk ka firmosur as konventën për të drejtat e minoriteteve. Për të nuk vlen e drejta e jetës, e përkujtimit, e varrezave, e minoritetit, e shkollimit. Më duhet t’i kujtoj sot Ramës, Bushatit, Bashës: ‘Bënë varrezat e ushtarëve të rënë në territorin e Shqipërisë, që erdhën si pushtues. Gjermania naziste po hynte në Greqi dhe ushtarët grekë rrinin në trojet shqiptare.’ Zoti do drejtohet më i drejtë seç po tregohet i gjithë ky soj.”, tha Idrizi.

“Unë e di shumë mirë që politika greke i ka dyert të hapura në politikën shqiptare, unë e di shumë mirë se politika greke i ka dyert të hapura edhe në mediat shqiptare, por po ju them se Shqipëria sot do jetë akoma me e fortë në këtë kohë kur ata që tradhëtojnë interesat e shqiptarëve mendojnë se do i tradhëtoni edhe ju.”, vazhdoi më tej Idrizi.

Nga ana tjetër, Mesila Doda e cilësoi çështjen si tradhti të politikanëve tanë, duke shitur ‘çështjen çame’.

“Ky është një Pazar matrapazësh për të shitur tokën dhe detin. Sot jemi në pikën më delikate të dekadës së fundit, ku përpiqet që të vihet në diskutim termi ‘çamëri’.

 

Bisedimet me Greqinë duhet që të nisen nga çështja çame. Europa që na thotë që e ardhmja jonë të kalojë nga Athina nuk është europa jonë. S’iu dhamë votën këtyre që janë në pushtet që të shesin çështjen çame”, u shpreh Mesila Doda.

Veritas.com.al/