Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur për situatën kritike të zjarrit mbi tunelin e Kalimashit duke thënë se është qetësuar diçka falë ndërhyrjes së të gjitha forcave.

Peleshi falenderoi forcat e Kosovës, që erdhën mbrëmë në ndihmë të shqiptarëve, ndërsa kujtoi rastin e riaktivizimit të zjarrit në Llogara duke thënë se kanë pikasur dy persona që kanë shkuar në zonë me elektrikë dore pikërisht atëherë kur mendonin se kishin arritur triumfin.

Ndër të tjera, Peleshi tha se ka një dorë kriminale që i ndjek nga mbrapa. Sa i përket punës nga ajri, tregoi se ditën e djeshme ka pasur erë të fortë dhe ndërhyrja e helikopterëve për shuarjen e zjarreve është shumë e vështirë.

 “Mbrëmjen e djeshme, ka qenë një situatë alarmante dhe zjarri ishte shumë pranë hyrjeve të tunelit, por falë organizimit të mirë të punës, shumë institucioneve, ka patur rreth 10 mjeteve zjarrfikëse, dy kanë punuar gjatë natës në dalje të tunelit. Ka rreth 150 trupa këtu, 60 e ca janë vetëm nga policia ushtarake, gjithashtu kemi nga zonat e mbrojtura, pra gatishmëria është e lartë.

Kjo ka bërë që të shmanget rreziku, tuneli të vijojë normalisht pa ndaluar. Sot është situata më e qetë, flakët janë larguar nga tuneli, tani po punohet edhe nga toka, dua të falenderoj prefektin e Kukësit dhe të Lezhës, të cilët janë në krye të punës dhe kanë rolin e pazëvendësueshëm të koordinimit.

Ndërkohë bazhdon prej disa ditësh zjarri në majën e Rrunës, aty sot kemi marrë një kontribut shtesë nga forcat e Kosovës, dua të falenderoj ministrin Armend Mehaj, janë 66 trupa dhe 9 mjete zjarrfikëse bashkuar me trupat tona dhe sot shpresojmë që të vëmë nën kontroll zjarrin në majën e Rrunës. Mjeti i fluturimit punon që në orët e para të mëngjesit. Kombinimi i punës nga ajri dhe zjarrfikësve nga toka, besoj se këtë vatër do ta eleminojmë sa më shpejt.

Nuk duhet spekuluar, nëse nuk e dimë dinamikën e zjarreve mund të dalim në konkluzione të gabuara.

Ju sjell rastin e Llogarasë që po e ndjekim prej ditësh me shumë trupa, me shumë këmbëngulje, vetëm ditën e djeshme kemi pasur 250 trupa që kanë gdhirë natën, kur ishin gati të shpallnin triumfin, pas gjysmë ore trupat kishin zbritur në tokë, identifikuan dy trupa elektrikë në mal dhe pas gjysmë ore lindën 2 vatra të reja.

Shto këtyre dhe një dorë kriminale që na ndjekin nga mbrapa dhe nuk mund të vihet bast cila ka qenë ndërhyrja më e mirë. Kemi dy helikopterë, njëri po punon në zonën e Llogarasë, dhe një tjetër po punon këtu. Nuk ka munguar gatishmëria, ne bëjmë punën tonë.  Unë si edhe ju nuk jam ekspert i zjarreve, ju kujtoj që ditën e djeshme ka pasur erë të marrë, erës nuk ka çfarë t’ bëjë as helikopteri, janë situata komplekse”, tha Peleshi.