Lajmi që u shpërnda mbrëmë vonë nga BBC se ka frikë se mbi 200 emigrantë mund të jenë mbytur në Veri të Libisë, fatkeqësisht rezultoi i vërtetë.

Të paktën 250 emigrantë dyshohet të jenë mbytur pranë brigjeve libiane. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e organizatës spanjolle të ndihmës “Pro-Activa Open Arms” Laura Lunza, pas zbulimit te dy gomoneve të përmbysura dhe 5 trupave të enjten.

Organizata që llogarit se në dy barkat mund të kenë qenë gjithsej 250 emigrantë afrikanë, nuk e thotë se kur mund të ketë ndodhur tragjedia, por theksoi se kufomat ishin gjetur 21 km në veri të Sabrata-s. Mosha e tyre thuhet të jetë mes 16 dhe 25-vjeçeve dhe të gjithë duket të kenë vdekur si pasojë e mbytjes.

Ujdia ishte arritur në fillim të shkurtit për të ndihmuar autoritetet libiane të pengonin trafikimin e qenieve njerëzore dhe reduktimin e të ardhurve në brigjet italiane.

Që nga fillimi i vitit në këtë mënyrë kanë zbarkuar më shumë se 21.000 vetë në Itali. Organizata spanjolle e ndihmës dyshon se pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, shumë refugjatë tentojnë të lundrojnë drejt Europës për t’u shpëtuar kushteve jashtëzakonisht të këqija të jetesës në Libi.

Gjithashtu ndër emigrantët është përhapur frika, se mund të mbyllet rruga e arratisë përmes Mesdheut.

/Veritas.com.al/