Dje në mesnatë, një peshkarexhe është  mbytur në afërsi të ishullit te Sazanit.  4 peshkatarët që ndodheshin peshkarexhë mbetën në det të hapur duke rrezikuar jetën.

“Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk do të ishin shpëtuar nga trageti, peshkatarët në Vlorë mund të humbisnin jetën”- ka thënë oficeri i Tragetit Red Star që ishte pjesë e operacionit të Shpëtimit të realizuar nga stafi i Tragetit Brindizi-Vlore.

Sipas zotit Petrit Agaj, gjatë kohës së lundrimit është perceptuar, në një distancë rreth 5 milje larg Sazanit,  gjendeshin disa persona në ujë falë pajisjeve të sofistikuara dhe sistemit të vëzhgimit.

Menjëherë trageti ka ndryshuar drejtim dhe në koordinim me kapitenerinë e përgjithshme i është afruar vendit ku ndodheshin peshkatarët. Pasi peshkatarët kanë hypur në varkën e shpëtimit, menjëherë u është dhënë ndihma me ushqim veshje dhe ujë. Më pas janë marrë nga ambulanca për ndihmën mjeksore.

Sipas oficerit, një prej tyre, më i riu ka qënë në gjendje më të vështirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.11.2018, në orën 02:08, jemi njoftuar për ndihmë se mjeti lundrues peshkimi “Vasili LN” po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.

Menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojes Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.

Por sot në mëngjes rreth orës 06:04, njofton Kapiteneria e Portit Vlorë se trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).

Këta shtetas janë personat e ekuipazhit të anijes së peshkimit “Vasili LN”, për të cilët bëjmë me dije se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Veritas.com.al/