Frrok Çupi/

Sot- lajmi i djeshëm; dje- i njëjtë me lajmin e pardjeshëm.

Ja lajmi i parë, i përsëritur:

“Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) nuk do të marrë pjesë në votime pa Opozitën!”. Sot lajmi është shpërndarë në një variant të “ri”. Varianti i ri është ky: LSI nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Zgjedhjet për kryetarin e  Bashkisë së Kavajës bëhen më 7 prill; dy vjet pasi Shqipëria plus Amerika, hoqën picirin për të larguar kryetarin Rilindas që ishte kapur si përdhunues dhe trafikant njerëzish, në Itali…

Edhe për heqjen e kryetarit të inkriminuar të Kavajës u deshën dy vjet lajme:

Si dje- sot: “Kjo është certifikata që sapo solli Roshi”, e djeshmja ishte e njëjta “certifikatë që solli prokurori”. Një ditë më parë ambasadori i Amerikës kishte thënë që të “largohen të inkriminuarit, duke nisur nga Roshi”. Lajmi i fundit, i tre ditëve më parë, kishte qenë: “ Roshi u shkarkua, por nuk është shkarkuar; kryeministri e njeh si kryetar Bashkie dhe e thërret në protokoll”… Kjo zgjati dy ose tre vjet: I njëjti lajm përditë.

Tani ndodhemi këtu te zgjedhjet në Kavajë:

LSI thotë se “nuk merr pjesë” në këto zgjedhje. Pa opozitën “krijohet kaos”… Lajmin e bëri me dije vetë nënkryetari i LSI,  Luan Rama.

Në një variant tjetër, lajmi ishte shpërndarë herët në mëngjes  nga zonja Kryemadhi, eksponente maksimale në LSI. Ajo tha në një televizion se sikur të ndodhë kjo, atëherë “do të shpërthejnë burgjet”. I njëjti variant i “kaosit” si edhe i zotit Rama.

Dje ishte thënë e njëjta gjë: “LSI nuk shkon në zgjedhje nëse Opozita nuk shkon në zgjedhje!”. Ky lajm ka disa ditë që përsëritet, si dje sot!

Ja lajmi i dytë i përsëritur:

Nënkryeministri i ardhur nga Bashkia e Korçës, ku mbillet drogë por askush nuk është kapur për drogë, ka deklaruar se “vitin që vjen nuk ka asnjë pikë drogë”. Ky ka thënë se për të garantuar këtë, do të fusë në punë Ushtrinë dhe Shërbimin Sekret. Edhe dje është thënë e njëjta gjë. Madje edhe disa ditë më parë. Edhe disa muaj më parë. Iniciatori i parë i “ushtrisë për drogën” , Ylli Manjani, ish- ministër i Drejtësisë, sot bëri një sarkazëm me lajmin e përsëritur. Doli në publik dhe “falënderoi” zotin Peleshi pse përsëriti lajmin. I tha edhe se “unë jam ai i pari…”, pastaj të gjithë ju e dhatë përditë këtë lajm. Mu duk se po shikoja ekranet e prapambetura televizive që vërtiten me të njëjtin lajm disa ditë.

Ja lajmi i tretë,… i katërt e i njëqindtë që përsëritet si dje:

-Shqipëria ka bërë hapa para në drejtim të Bashkimit Europian!-

Nën titullin e lajmit “kryesor” bëhen mbushjet me qindra detaje të stërnjohura. Detajet janë se “ky takoi atë… në Bruksel”. Ai tjetri “ka takuar atë tjetrin në Berlin”. Së shpejti “dikush vjen në Tiranë, dhe takon dikushin…”.

Edhe nga Çadra e protestës- i njëjti lajm. Përderisa jashtë Çadrës është i njejti realitet, dhe Çadra nuk ka asnjë zotësi që ta lëvizë “makinën”,- atëherë nuk ka çfarë ndodh…

Lajmi i njëqindtë i përsëritur për të 365-tën herë në një vit: “U kapën tetë tonë drogë duke shkuar në Itali”. Po ky lajm ishte një ditë më parë, por në variantin “11 tonë drogë”. Para kësaj u kapën në “Orikum edhe 6 tonë drogë”…

Gjithë vitin… Ka ndodhur në një moment që “kaseta” e lajmit ka bërë një ndryshim: Ndryshimi ka ndodhur ditën kur u kapën “dy mushka me drogë” duke kaluar për në Greqi. Por edhe kjo “kasetë” nisi të përsëritet përditë: Dje mushkat; pastaj me gomarë; pastaj përsëri mushka (tani jo dy, por tre).

A mund t’i thuash trurit “haj tani, pa numëro sa tonë drogë ka kaluar”?. Ose a mund t’i thuash trurit: “regjistroje, a  ishin mushka apo gomarë ata që kaluan për në Greqi?!”… Jo nuk ka tru njerëzor që i mban.

Këta po e çmendin njeriun. Përditë i njëjti lajm. Përditë: “Do të marr”, e “nuk do të marr pjesë në zgjedhje!”. Si nuk ka një ditë kur të thuhet: “U largova nga koalicioni, nuk kam më lajme”. Si nuk ka një ditë kur të thuhet: “Iku qeveria, nisim me tjetrën”. Asnjëherë nuk pritet kordoni i të keqes.

I njëjti lajm e lodhi dhe e çmendi njeriun këtu; sepse është e njëjta situatë, i njëjti mjerim, e njëjta gënjeshtër, i njëti premtim, i njëjti banalitet. Por kjo është realisht fytyra e elitave qeveritare që në Europë ku populistë djathtist po i fshijnë me fshesë, pasi e bënë “moçal” me gënjeshtra për 70 vjet.

/Veritas.com.al/