Frrok ÇUPI

Teksa po shkruaja titullin e shkrimit, u ndodha mes dy varianteve të fjalës: “përdorje” dhe “përdorim”. Zgjodha “përdorje”, jo thjesht pse ky është varianti dialektor gegnisht, por për dy arsye të tjera më substanciale.
Arsyeja e parë e fjalës “përdorje”, i shkon kësaj gjendjeje ku po jetojmë momentin, në kuptimin që një lidership qeveritar i nivelit të ulët si ky që kemi ne shqiptarët, po përdor Amerikën. Po e përdor Amerikën për të ngulur më thellë të keqen e vet qeverisëse, thuajse si një dhunë mbi qytetarët. Dihet botërisht se Amerika nuk e pranon dhunën shtetërore mbi individin, por në këtë rast qeverisësit shqiptarë post-komunistë, kanë ardhur në pikën që mendojnë se do ta përdorin Amerikën si dikur Stalinin.
Arsyeja e dytë e fjalës “përdorje” ndaj Amerikës, vjen nga një kuptim i drejtpërdrejtë i fjalës “përdore”. Domethënë siç merret fëmija përdore dhe dërgohet atje ku ti do. Këta janë komunistë të regjur, aq më tepër pse janë bij të diktatorëve komunistë dhe mendojnë se do ta marrin Amerikën përdore njësoj si fëmijën. Këta kanë krijuar bindjen e padiskutueshme se Amerika është një fëmijë dhe mund të merret përdore që ta dërgojnë në vendin ku është kryer krimi i këtyre dhe këta do të çertifikojnë veprën e keqe.
Ja kaq është çfarë desha të them pse e përdora fjalën “përdorje”, një variant të gegnishtes, por në fakt një fjalë që tregon gjithë qëllimin (At Gjergj Fishta do të thoshte “përlimje”), që ka qeverisja shqiptare ndaj Amerikës. Nesër pritet që në Tiranë të ulët Sekretari i Shtetit i Sheteteve të Bashkuara, John Kerry. Nesër është dita kulmore kur këta janë përgatitur për të kryer krimin e përdorjes së Amerikës.
Si po e përdor Amerikën kjo udhëheqje kaq e ulët e qeverisë shqiptare!? Kjo është çështja e cila duket deri në mosbesim.

Por ja ku janë argumentet:
Argumenti i parë, që do të manifestohet menjëherë sapo Mr. Kerry do t’i kthejë shpinën Tiranës pas vizitës së tij: Që në atë moment qeveria shqiptare, shumë e kontestuar, deri në neveri, do të dalë me parulla vetglorifikimi duke thënë se ” na miratoi zoti Kerry!”. Sipas tyre, sekretari amerikan i Shtetit “ka miratuar” vjedhjet dhe korrupsionin e lartë të qeverisë, “ka miratuar” që një ministër të vjedhë aq shumë sa kushton gjithë pasuria e vendit sot. Sipas tyre zoti Kerry “ka miratuar” që mbi qytetarët të ushtrohet represion, por mbi ministrat dhe zyrtarët e korruptuar të mos ushtrohet as më i vogli presion ligjor.
Qeveria, sapo zoti Kerry të kthejë shpinën për drejt Amerikës, do të deklarojë triumfalisht se “kemi lejen e Amerikës” për ktnimin e simboleve dhe sjelljeve komuniste . Këta do të sfidojnë të burgosurit e diktaturës dhe viktimat e tjera, duke iu thënë se ” Amerika na dha leje! Kush jeni ju, më antikomunistë se Kerry?!”.
Por këta kanë vendosur që ta përdorin Amerikën para se zoti Kerry të marrë rrugën për në Amerikë. Këta kanë vendosur që të fshehin krimin dhe kriminelët aktualë me të cilët thuhet botërisht se bashkëpunojnë. Në vend të tyre do të ndëshkohen kundërshtarët politik. Këta do të deklarojnë se Amerika kërkon të kapen xhihadistët dhe militantët e ISIS. Por “xhihadistët” emërohen nga vetë qeverisësit; secili që rebelon kundër qeverisë do të quhet xhihadist.

Këta do ta përdorin Amerikën edhe për të bërë kthesë të plotë nga politikat europiane, alias Merkel; sepse këta kaq e kanë” vajin e kandilit” saqë mendojnë se Amerikë dhe Europë janë dy të kundërt. Këta do të thonë se ishin të zgjedhurit e Amerikës në Ballkan, ” përderisa Kerry nuk vizitoi qeveri të tjera, veç qeverinë tonë!?”.

Përdorja e Amerikës gia ka ndodhur. Edhe në sensin “përdore”.
Nesër paradite, sapo zoti Kerry të lërë aeoportin e Rinasit në drejtim të selisë së qeverisë, këta do të shfaqen aq fitimtarë sa sikur e kanë marrë Amerikën përdore për ta çuar në vendin e krimit, aty ku vetë e kanë kryer krimin dhe tani e mbulojnë me hijen e Amerikës.
Prej disa ditësh mediat po shkruajnë se kryemi istri e ka kthyer Ilir Metën në një viktimë të Amerikës. Ilir Meta është kryetar i Kuvendit të Republikës, numri Dy i shtetit, i prurë në skenën politike si i korruptuar dhe inkriminuar. Prej kohësh po thuhet se Amerika i ka kërkuar kryeministrit që të burgosë kryetarin e Kuvendit, Meta. Mirëpo kryeministri ka luajtur rolin si në çështjen e armëve kimike nga Siria, kur ky i tha Amerikës: “unë dua, por nuk më lënë të tjerët!”. Këtë paska bërë edhe me Amerikën kur ka premtuar se “do të burgosë” Metën, por nuk mundet dhe për këtë pritej ardhja e zotit Kerry. Në fakt kurthin e ka bërë vetë kryeministri, kurth si për Metën edhe për Zotin Kerry. Sekretari i Shtetit i SHBA do të shikonet si njeiu që erdhi në Tiranë për të burgosur kryetarin e Kuvendit. Kurthi është sa banal, aq edhe i rrezikshëm, përderisa duket se këta po marrin përdore Amerikën në drejt një vepre burgu.
Këta do ta presin zotin Kerry në zyrat luksoze të qeverisë, duke i thënë se kanë një dhuratë. Dhurata do të jetë ligji i ri për Byronë e Hetimit, alias FBI. Këta do të mburren se e bënë atë që kërkoi Amerika. Këta do të tregojnë duart sikur janë të gatshëm të venë prangat në radhë të parë për vete, “në qoftë se janë të korruptuar”. Por edhe pse janë më të korruptuarit, nuk do të dalin kurrë të korruptuar. Byroja po ndërtohet sipas stilit të diktaturës komuniste, ku njëshi kotrollon gjykatën, Byronë, policinë, burgun dhe prokurorinë. Byroja e Hetimit do të vendeset nën kontrollin e qeverisë, por në këtë krim është thërritur edhe vetë zoti Kerry.

Nesër, Amerika e përfaqësuar nga sekretari Kerry,po ftohet për të takuar edhe presidentin e nesërm të Kosovës. Hashim Thaçi, ish kryeministër dhe tani ministër i jashtëm, i kontestuar si i korruptuar, si kundërshtar i Gjykatës për Krimet; por që ka vendosur të bëhet edhe President. E ka vendosur vetë, siç vendosin autokratët kudo. Kosova, e cila konsiderohet një shtet që po vuan të keqen e qeverisë së vet, nesër do të jetë duke vështruar nga Tirana nga ku do të bekohet presidenti akoma i pa zgjedhur. Vetë zoti Kerry do të tërhiqet përdore në këtë procesion. Atëherë edhe kjo do të lërë shijen sikur Amerika mbështet regjimet autokratike, si në Rusi, si në Turqi, si në Indi e dikur në Libi…
Këta po e përdorin Amerikën

…. Kur nisa të shkruaj titullin, mendova se do të ishte më e plotë fjala “përdorje” e Amerikës. Qeveritë e këqija, sado të dobëta e të kundërshtuara, historikisht kanë keqpërdorur demokracitë dhe qytetërimet e mëdha.