Qytetari që u kap të enjten në Dibër me para për të blerë vota nuk është i Partisë Socialiste, por i LSI-së.

Kështu ka deklaruar Shtabi Elektoral i PS Dibër, në një informim për opinionin publik ditën e sotme.

PS Dibër informon se mbështet hetimin për zbardhjen deri në fund të ngjarjes, por shton se pas verifikimeve rezulton se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS.

Ai, sipas PS, është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

“Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim,” përfundon deklarata.

Kujtojmë se dje, dy persona u ndaluan në hyrje të Maqellarës nga militantët e PD të kryesuar nga Xhelal Mziu. Në makinën e tyre u gjet një shumë prej rreth 7 milionë lekësh që dyshohet se do i përdornin për të blerë vota.